Inter, barazim me vuajtje ndaj Lazios

22/12/2014 00:00

Lazio humb një rast shumë të mirë për të qenë e vetme në vendin e tretë të klasifikimit të Serisë A. Bardhekaltërit po fitonin 2-0 në San Siro ndaj Interit të dielën në mbrëmje, por në pjesën e dytë “Pazza Inter” reagon duke barazuar rezultatin atëherë kur edhe tifozët e saj më të zjarrtë e kishin humbur shpresën pas një pjese të parë shumë të dobët të skuadrës së tyre.

Ekipi i Piolit kaloi në avantazh që në minutën e dytë me anë të Felipe Anderson, i cili në minutën e 37 dyfishoi rezultatin me anë të një aksioni individual shumë të bukur.

Në pjesën e dytë zikaltërit “ringjallen” pas një goli të mrekullueshëm të Kovaçiç (66’) e më pas barazojnë në minutën e 80 me anë të argjentinasit Palacio.

Pas këtij takimi, Lazio e sheh veten në vendin e tretë, me pikë të barabarta me Napolin dhe Sampdorian. Interi i Mancinit e mbyll vitin 2014 në vendin e 11 të renditjes.

Top Channel