Plani i rrugorëve për festat. Masat për të ulur aksidentet dhe trafikun

22/12/2014 00:00

Policia e Tiranës ka vënë në jetë një plan konkret masash për të minimizuar numrin e aksidenteve, por edhe për të garantuar rrugë me më pak trafik për këto ditë fundviti. Në një lidhje të drejtpërdrejtë për programin e mëngjesit “Wake Up” Besmir Qibini, shefi i komisariatit rrugor, Tiranë ka theksuar se shërbimet e qarkullimit rrugor janë përforcuar, duke punuar me 100% të kapacitetit të punonjësve në kuadër të mbarëvajtjes së rendit dhe të sigurisë rrugore.

“Jemi përqendruar në zonat ku ka trafik rrugor të rënduar dhe volum mjetesh të lartë. Zonat më problematike të trafikut rrugor në kryeqytet janë: “Sheshi Karl Topia”, “21 dhjetori”, “Zona Teknologjike”, “Rruga e Durrësit”, “Rruga e Kavajës” dhe pjesa hyrëse për në Tiranë”,- ka thënë Qibini.

Më tej, ai ka nënvizuar se Komisariati i Qarkullimit Rrugor nuk ka si objektiv shtimin e gjobave, por garantimin e rendit dhe të sigurisë rrugore, duke normalizuar rrjedhshmërinë e qarkullimit rrugor.

“Më së shumti do të fokusohemi tek këshillimet e drejtuesve të mjeteve, por kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë ndëshkime për drejtuesit e mjeteve që janë agresivë me rrugën dhe që përbëjnë rrezikshmëri. Drejtuesit e mjeteve duhet të mos konsumojnë pije alkoolike dhe në orët e vona të natës kur pijnë gjatë festave të koordinohen me miqtë e të afërmit, që të mos drejtojnë makinën në gjendje të dehur, ose të përdorin taksi. I këshillojmë po kaq që të mos kalojnë shpejtësinë tej normave të lejuara, të respektojnë semaforin, duhet të përdoret kaska mbrojtëse, rripi i sigurimit etj.”,- ka thënë Qibini.

Këto masa vijnë në një kohë kur shumë emigrantë kthehen në vendlindje, por edhe kur në kryeqytet ka shumë hyrje-dalje për shkak të festave të fundvitit.

Top Channel