Meta: Kërkesat e opozitës janë plotësuar

22/12/2014 00:00

Kreu i Parlamentit, Ilir Meta e ka vlerësuar si shumë të frytshëm
takimin me eurodeputetin Eduard Kukan, ndërsa theksoi se kërkesat e
opozitës janë plotësuar tashmë, por i takon grupit parlamentar të PD të
vendosë nëse do të kthehet apo jo në Kuvend në seancën e 24 dhjetorit.

“Janë plotësuar të gjitha kërkesat kryesore të opozitës. Çdo kërkesë e cila synon një funksionim më demokratik, më transparent të kuvendit ka qenë e mirëpritur dhe ne jemi të vendosur për transparencë dhe gjithëpërfshirje”, tha Meta.

I pyetur nëse deputetët demokratë rrezikojnë të humbasin mandatet nëse nuk kthehen në Kuvend në seancën e fundit parlamentare, Meta u shpreh se nuk bëhet fjalë për humbje mandatesh, por për gjithëpërfshirje. Sipas kryeparlamentarit, duhet të ndajmë politikën nga fryma e bojkotit.

Top Channel