Francë, një burrë përplas me makinë 11 persona, nën thirrjet “Allahu Akbar”. Dy rëndë

22/12/2014 00:00

Vetëm pak pas arrestimit të një burri, që plagosi me thikë dy policë ndërsa thërriste “Allahu Akbar”, një tjetër incident i dhunshëm trondit Francën.

Po me fjalët “Zoti është i madh”, gjithnjë në arabisht, drejtuesi i një automjeti përplasi një grup kalimtarësh në Dijon, duke plagosur 11 vetë, 2 nga të cilët rëndë. Personi kishte shënjestruar këmbësorët në pesë pjesë të ndryshme të qytetit, brenda harkut kohor të 30 minutave. Agresori, i arrestuar shumë shpejt pas episodit, thuhet të ketë probleme mendore dhe ka qenë i shtruar në një spital psikiatrik.

Dëshmitarët okularë i thanë policisë se agresori, një burrë te të 40-at, ishte shprehur se “po vepronte në emër të fëmijëve të Palestinës”. Autoritetet janë të bindura se ai nuk ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë. Për policinë, personi në fjalë, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur, nuk ishte krejt i panjohur.

Ai ka qenë i përfshirë në disa incidente të vogla shumë vite më parë, por asgjë që të paralajmëronte rrezik. Në faqen e vet në Twitter, kryeministri francez Manuel Valls shprehu solidaritetin me viktimat e kësaj ngjarjeje, për të cilën premtohet hetim i plotë.

Franca ka numrin më të madh të muslimanëve në Europën Perëndimore, një shifër e kjo e llogaritur ndërmjet 5 dhe 6 milionë. Vitet e fundit ka pasur disa sulme me sfond islamik, vepër e atyre që media i përshkruan si “ujqër vetmitarë”.

I dyshuari kryesor për vrasjen e 4 personave në një muze të Belgjikës këtë vit ishte i lindur në Francë e kishte kaluar një vit me luftëtarët në Siri. Ndërsa në 2012-n, Mohammed Merah qëlloi për vdekje 7 persona në Tuluzë, përpara se të vriste veten nën presionin e rrethimit të policisë.

Top Channel