Francë, pushohet gazetari islamofob, kërkoi deportimin e muslimanëve

22/12/2014 00:00

Një debat i ashpër ka nisur në Francë mbi lirinë e fjalës, pas pezullimit të prezantuesit televiziv, Eric Zemmour, për islamofobi.

Zemmour, gazetar e shkrimtar njëkohësisht, është shfaqur prej kohësh si kundërshtar i zëshëm i emigracionit, edhe pse origjinën edhe vetë e ka të tillë. Por, vendimi për pushimin nga puna erdhi pas komenteve të bëra për “Corriere della Sera”-n, kur tha se “muslimanët janë izoluar nëpër rrethina e i kanë detyruar francezët të shpërngulen, dhe se duhet të deportohen që të gjithë për ta shpëtuar vendin nga lufta civile”.

Drejtuesit e platformës dixhitale franceze “iTELE” nuk u menduan gjatë pas kësaj, për të firmosur largimin e prezantuesit. Sindikatat e gazetarëve e përshkruan këtë si një “vendim të fuqishëm”, e ky qëndrim i tyre u mbështet edhe nga organi mbikëqyrës i antiracizmit “SOS”.

Por drejtuesja e Frontit Nacional, Marine Le Pen shkroi menjëherë në Twitter se “bllokimi i bërë Zemmourit është i neveritshëm”. Pati edhe disa zëra të tjerë, që folën për censurë. Vetë gazetari nuk është i pamësuar me polemikat, e madje krenohet me qëndrimin provokues ndaj liberalëve, të cilët i përshkruan si “politikisht korrektë”.

Në 2011-n, Zemmour u dënua për nxitje të urrejtjes, për shkak të pohimeve të bëra në televizionin publik francez, ku thoshte se trafikantët e qenieve njerëzore janë kryesisht të zinj apo arabë, dhe se punëdhënësit mund ta refuzojnë marrjen e dikujt në punë, në varësi të origjinës së tij.

Kontribues prej një kohe të gjatë te “Le Figaro”, gazeta e dytë më e madhe në vend, vepra e fundit e tij, e titulluar “vetëvrasja franceze” argumenton se federalizmi europian po e shkatërron shtetin në Francë, dhe kohët e fundit libri është shndërruar në “best seller”.

Top Channel