Sulmet kibernetike, Korea Veriore i kundërpërgjigjet me kërcënime Amerikës

22/12/2014 00:00

Paralajmërimet në distancë mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara vazhdojnë, e këtë radhë stafetën e mori shteti komunist, që kërcënon me sulme të paspecifikuara, nëse Amerika përshkallëzon tensionet e krijuara së fundi, prej ofensivës kibernetike ndaj “Sony Pictures”.

Në një deklaratë mjaft të ashpër, Peniani flet për goditjen e Shtëpisë së Bardhë, Pentagonit e të gjithë tokës amerikane. Edhe pse Korea e Veriut mohon të ketë gisht në valën e sulmeve ndaj kompanisë hollivudiane, të nisura pas përgatitjeve për premierën e një komedie mbi komplotin imagjinar të vrasjes së Kim Jong-unit, Uashingtoni duket i bindur për të kundërtën.

Një ditë më parë, ai kërkoi dhe ndihmën e Kinës për të sqaruar këtë situatë, por nga aleati më i ngushtë i Penianit nuk ka reagim. Vetë Presidenti Obama premtoi masa proporcionale, çka ngjalli zemërimin e vendit komunist.

Kjo nuk është hera e parë, që Korea e Veriut kërcënon Amerikën. Ushtria dhe populli ynë janë plotësisht të gatshëm për një përballje me Shtetet e Bashkuara, në të gjithë hapësirat e luftës, përfshirë edhe atë kibernetike, thuhet në deklaratën e publikuar prej agjencisë qendrore koreane të lajmeve.

Filmi duhej të shfaqej në kinema ditën e Krishtlindjes, por për shkak të sulmit dhe kërcënimeve anonime pafund, “Sony” u detyrua ta anulonte e – siç thotë, – po merr në konsideratë transmetimin në një platformë tjetër.

Top Channel