Basha informon grupin parlamentar, marrëveshja i jep fund bojkotit

22/12/2014 00:00

Ishte e mbledhja e parë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që prej 1 shtatorit. Ajo nuk është zhvilluar shumë e ndryshme nga 5 muaj më parë, sepse nuk pati një vendim për të ndryshuar vendimin e bojkotit ndaj parlamentit.

Ky vendim do të merret vetëm nëse ka një marrëveshje. Lulzim Basha e ka ruajtur konfidencialitetin e bisedimeve edhe gjatë mbledhjes se grupit, por ka siguruar deputetët që kanë pyetur se si do të veprohet në të ardhmen, Genc Ruli, Astrit Patozi, Majlinda Bregu Arben Imami, se negociatat do të vazhdojnë me telefon dhe grupi do të informohet në vazhdimësi. Këtë qëndrim Basha e mbajti edhe kur foli për mediat.

“Kërkohet dhe lipset angazhimi i palëve për të ndërprerë menjëherë praktikat e dhunshme dhe antiligjore që sollën asgjësimin e jetës parlamentare dhe së dyti angazhimi për të bërë të mundur që këto kurrë të mos përsëriten përmes amendimit të legjislacionit dhe përmes përkushtimit politik për të eliminuar njëherë e mirë krimin nga parlamenti, apo paralmentin si institucion të krimit. Nga ne nuk ka asnjë pengesë dhe nuk do të ketë kurrë asnjë pengesë për përmbylljen me sukses të këtij procesi, për të cilin janë të ndërgjegjësuar edhe ndërmjetësit europianë të të dy krahëve politikë edhe të Partisë Popullore Europiane edhe të Partisë Socialiste Europiane. Duke qenë në proces bisedimesh nuk më mbetet gjë tjetër që përpjekja europiane do të ketë sukes dhe t’i bëj thirrje mazhorancës që të jetë pjesë e përmbylljes me sukses të këtij procesi”, tha Basha.

Mbledhja e Grupit dhe bisedimet për të rikthyer opozitën në parlament nëpërmjet një marrëveshje që ka si pikë themelore dekriminalizimin e parlamentit, ka si mbështetës edhe ish-Kryeministrin Berisha, pavarësisht mungesës së një vlerësimi pozitiv për Kryeministrin Rama.

“T’i besosh Edi Ramës për marrëveshje është njëlloj si të besosh rrethin katror. Megjithatë të mos i paragjykojmë gjërat se unë shpreha për të atë konsideratën time. Por po të ekzistojë vullneti, gjërat janë shumë afër. Dy të dërguarit e Parlamentit Europian kanë bërë një punë shumë serioze. E konsideroj bojkotin një lloj fatkeqësie të imponuar, por mes demokracisë dhe bojkotit, unë zgjedh gjithmonë demokracinë”, tha Berisha.

A do të ndërpritet bojkoti të mërkurën? Përgjigjja do të jetë pozitive nëse në rendin e ditës do të jetë marrëveshja në formën e rezolutës parlamentare, ku firma e Kryeministrit dhe e mazhorancës zëvendësohet me votën e tyre elektronike.

Top Channel