Emigracioni, në 4 vjet janë kthyer 150 mijë emigrantë. 1,5 mln shqiptarë jashtë vendit

22/12/2014 00:00

Qeveria shqiptare publikoi profilin e zgjeruar të emigracionit në vend. Gjatë prezantimit të saj, kreu i INSTAT-it tha se 150 mijë emigrantë shqiptarë humbën punën në 4 vitet e fundit në emigracion dhe u kthyen.

“INSTAT vlerësoi rreth 134 mijë të kthyer gjatë këtyre 4 viteve dhe në mbi 90 përqind të rasteve është bërë për arsye vullnetare. Rreth 40 përqind e emigrantëve të kthyer risynonin emigrimin”, u shpreh kreu i Institutit të Statistikave, Gjergj Filipi.

Shqipëria numëron më shumë se 1 milion e gjysmë emigrantë, ku pjesa më e madhe ka rezidencë në Itali dhe Greqi. Vendi u prek nga emigracioni tranzit për shkak të luftrave dhe konflikteve në Afrikë dhe Azi.

“Shqipëria si një nga vendet e Mesdheut u prek gjithashtu gjatë 2014-s nga flukset migratore tranzite nga vende si Siria, Pakistani, Afganistani, Iraku e të tjerë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian”, tha Alma Jani, përfaqësuese e IOM në Shqipëri.

Qeveria premton që të hapë së shpejti në kufi një qendër pritjeje për emigrantët.

“Së shpejti ne do të hapim edhe një qendër mbështetëse, pikërisht për të ndihmuar këtë fluks, i cili është rritur në mënyrë të dukshme. Një qendër e mbyllur apo e hapur nuk ndihmon tashmë në kufijtë e këtij emigracioni që po shfaqet”, u shpreh Elona Gjebrea, zëvendësministre e Brendshme.

Në Shqipëri ka qindra punëtorë të huaj, ku dominojnë turqit.

“Vlen të theksohet se numri i të huajve që emigrojnë drejt Shqipërisë për motive punësimi vjen në rritje çdo vit. Nëse krahasohet fluksi i të huajve sipas shtetësisë, vendin e parë e zënë shtetasit nga vendet jo anëtare të Bashkimit Europian, si ata turq”, deklaroi zëvendësministrja e Çështjeve Sociale, Gentiana Sula.

Top Channel