Dënimi alternativ, të miturit lënë burgjet për të punuar në azile e spitale

22/12/2014 00:00

Dritan Murrani, nxënës në shkollën Hoteleri-Turizëm, është dënuar nga gjykata me 140 orë punë në interes publik. Dhe mes detyrave, që punonjësit e Shërbimit të Provës i kanë caktuar gjatë këtyre ditëve, është edhe të ndihmojë stafin në këtë shtëpi të moshuarish në Tiranë.

“Sot më duket se do mbjellim lule, nuk e di ç’do bëj më pas”, thotë Dritani.

17-vjeçari nuk është i vetmi që, si i dënuar me shërbim prove, pranon të punojë në interes të publikut, siç është edhe risia më e fundit, ku ata dërgohen në shtëpi të moshuarish dhe në spitale.

“Këtë e kemi realizuar edhe pranë qyteteve të tjera të vendit tonë, si në Fier, në Durrës dhe jemi aktualisht duke marrë kontakte dhe e kemi realizuar edhe me Spitalin Rajonal të Beratit një marrëveshje, e cila parashikon përmbushjen e punës në interesit publik kryesisht në detyra të ndryshme”, thotë Ilir Qafa, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës.

“Vij çdo ditë nga ora 8 deri në orën 13 për shërbimin e provës, me përjashtim të fundjavës që është pushim. Sigurisht që është më mirë shërbimi i provës se sa të bëja burg, sepse kështu kam mundësi të ndjek edhe shkollën njëkohësisht”, thotë më tej Dritan Murrani.

Por shumica e të dënuarve me shërbim prove nuk preferojnë të kryejnë punë në interes të publikut, siç është edhe pastrimi i qytetit.

“Aktualisht shërbimi i provës mbikëqyr rreth 700 të dënuar nga gjykata me punë në interes publik, në bazë të nenit 63 të Kodit Penal. Kryesisht për 5 vitet e funksionimit të shërbimit të provës, puna në interes publik është kryer pranë pushtetit vendor, bashkive apo njësive bashkiake në rastin e Tiranës, të orientuar mbi të gjitha në ndërmarrjen e gjelbërimit, për shkak të konceptimit dhe vlerësimit të rëndësisë shoqërore pranë institucioneve të tjera shoqërore. Sot kemi ardhur pranë qendrës së të moshuarve, ndërsa konstatojmë se duhet të zgjerojmë gjithnjë e më shumë gamën e zhvillimit të këtij detyrimi gjyqësor”, tha më tej Ilir Qafa.

Duke qenë se punonjësit e Shërbimit të Provës kanë detyrë të mbikëqyrin sjelljen e të miturit në shtëpinë e të moshuarve, ata kanë shfrytëzuar këto orë duke iu sjellë të moshuarve të qendrës edhe dhuratat e fundvitit. Të njëjtën gjë bëri edhe Ministria e Mbrojtjes.

Top Channel