Problemet në arsim, shkëmbimi i eksperiencave në këtë fushë dhe forcimi i bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe Shqipërisë përmes rinovimit të marrëveshjes për arsim kanë qenë temat kryesore që ka ngritur një delegacion i Kuvendit të Shqipërisë gjatë takimit me kolegët e Parlamentit të Maqedonisë.

Deputeti i PS, Alfred Peza, në cilësinë e kryesuesit të delegacionit shqiptar ka prekur edhe problemin me tekstet shkollore në Maqedoni.

“Ministria e Arsimit e Shqipërisë ka nisur punën për diskutimin e teksteve me vendet fqinje siç janë Greqia dhe të tjera, në mënyrë që kjo problematikë të eliminohet përgjithmonë në tekstet e ndërsjella të vendeve tona, në mënyrë që nxënësit tanë, brezat e ardhshëm të rriten pa frymën negative të problematikave të kaluara dhe të shohin nga e ardhmja, jo nga e shkuara”, ka deklaruar Peza.

Delegacioni i deputetëve nga Shqipëria, i përbërë nga anëtarë të komisionit parlamentar për edukim dhe mjete të informimit ka qëndruar në Shkup me ftesë të nënkryetarit të Parlamentit maqedonas, Rafiz Aliti.

Ky i fundit me kolegët nga Tirana përveç problemeve në arsim ka diskutuar edhe për nevojën që kanë dy Kuvendet për frymë opozitare.

“Edhe në Shqipëri edhe këtu në Maqedoni na mungon opozita dhe fryma opozitare, shpirti i çdo Kuvendi që duhet të jetë prezent. Në këtë rast, qoftë në Shqipëri, qoftë në Maqedoni opozita bojkoton Kuvendin”, deklaroi Aliti.

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë gjatë qëndrimit në Shkup janë pritur edhe nga zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë.

Top Channel