Papa kritikon kardinalët: Po vrisni imazhin e Kishës

22/12/2014 00:00

Në fjalën e tij mbajtur para Kurias, kupola e administratës së Kishës
Katolike, Papa Françesku paralajmëroi reformim të saj dhe kritikoi disa
kardinalë se me ‘etjen e tyre për pushtet kanë vrarë reputacionin e
kolegëve të tyre dhe dëmtuar atë të të gjithë kishës’.

Ai nënvizoi 15 probleme me Kurian, që i quajti sëmundje dhe kërkoi reformim të këtij organizmi brenda vitit të ardhshëm për ‘ta shëruar’ atë.

Papa Françesku krahasoi performancën e shërbëtorëve të kishës me atë të një orkestre të madhe që për mungesë koordinimi dhe shpirti skuadre gabon në nota duke mos prodhuar të njëjtin tingull.

Para se të zgjidhej në këtë post në mars të 2013, Papa Françesku nuk kishte punuar asnjë ditë në Romë dhe tani, sipas BBC, Papës së parë amerikano-jugor i ka sosur durimi me opozitën që has në Romë nga disa kardinalë për ndërmarrjen e një sërë reformash në Kishën Katolike.

Që prej zgjedhjet ai ka ndërmarrë një sërë reformash, ku më e rëndësishmja deri më tani është ajo që prek Bankën e Vatikanit, e njohur si Instituti i Punëve Fetare, që gëzon një reputacion aspak të shëndoshë pas një serie skandalesh financiare dhe korrupsioni. Për të luftuar këtë Papa Françesku ngriti një grup pune për spastrimin e administratës së bankës.

Sa i përket Kurias, reforma që synon kreu i Vatikanit është dobësimi i këtij institucioni që ndër shekuj ka patur fjalën e fundit në doktrinën fetare dhe shpërndarjen e disa kompetencave edhe për kryepeshkopët në mbarë botën.

Top Channel