Skoci, kamioni vërshon në trotuar, 6 të vdekur

22/12/2014 00:00

Një kamion ka vërshuar në një trotuar në Glasgou të Skocisë, duke shtypur për vdekje 6 nga personat e shumtë që po ecnin në të, duke parë dyqanet në prag festash.

Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet skoceze, të cilat paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rëndohet për shkak të numrit të lartë të të plagosurve.

Ngjarja ka ndodhur në zonën përreth George Square, në qendër të kryeqytetit skocez, e tejmbushur për shkak të pazareve të fundvitit e që tani është rrethuar nga automjetet e grupeve të ndërhyrjes së shpejtë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30 të së hënës dhe dinamikat e ngjarjes janë ende të paqarta.

Fillimisht është përfolur për përplasjen e dy automjeteve, por nuk përjashtohet që kamioni për mbledhjen e mbeturinave të ketë vënë para njerëzit pasi drejtuesi të ketë humbur kontrollin për shkak të një dhembjeje.

Dëshmitarë okularë kanë folur për persona të shumtë të shtrirë në asfalt, si në trotuar ashtu edhe në rrugët e qendrës, në afërsi të Millenium Hotel.

Për momentin autoritetet vlerësojnë se bëhet fjalë vetëm për një incident të rëndë dhe jo për ndonjë akt me qëllime dashakeqe.

“Është një incident rrugor me shumë viktima. Është një ngjarje shumë e rëndë, por ne nuk besojme se pas gjithë kësaj ka pasur diçka të qëllimshme”, deklaroi një zyrtar policie për BBC.

Gjithësesi, më herët gjatë ditës një ngjarje e ngjashme u verifikua në Dijon të Francës, ku një person në bordin e një automjeti, pasi bërtiti “Allahu akbar” vërshoi mes njerëzve duke plagosur 11 persona.

Top Channel