Rama, tur në veri. Njihet me investimet në minierën e kromit

22/12/2014 00:00

Turin e vizitave në veri të vendit kryeministri Edi Rama e nisi në Bulqizë, ku u njoh me investimin që po kryhet në minjerën e kromit, e marrë me konçesion nga kompoania “Albcrom”.

Specialistët kinezë të një firme nënkontraktore janë duke punuar për zgjerimin e thellësisë së minierës, si dhe hapjen e traverbankut të Klosit.

Këto investime me vlerë 25 milionë euro synojnë rritjen e prodhimit të kromit në 120 mijë tonelata në vit dhe njëkohësisht shtimin e numrit të minatorëve.

“Desha të falenderoj kryeministrin Rama dhe ministrat e tij për të gjitha premtimet e bëra në fushatë për uljen e moshës së pensionit, hapjen e thellësisë së pusit dhe sidomos ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Kështu që ne atij s’kemi çfarë t’i kërkojmë më sepse premtimet ai i ka mbajtur”, deklaroi kryetari i bashkisë, Myfit Duriçi.

“Gjeologu” në Bulqizë ishte ndalesa e radhës e kryeministrit, i cili inspektoi nga afër punimet për sistemim dhe asfaltimin në bllokun e poshtëm të ndërtesave me një fond prej 23 milionë lekë.

Rama pa edhe rrugën lidhëse mes qytetit të vjetër dhe qytetit të ri në Bulqizë. Pak përpara largimit me helikopter nga Bulqiza, Rama la një mesazh për banorët e kësaj zone.

“Të bëjmë një financim të ri, përderisa këta njerëz këtu meritojnë një vëmendje maksimale sepse s’kanë patur pikën  e vëmendjes, por vetëm banditë që vinin, i grabisnin dhe i linin në terr dhe në varfëri. Të bëjmë investimin e ri, për të lidhur të dyja zonat pasi është një investim i shkëlqyer. Të ndërtojmë zonën këmbësore, të transformojmë fasadat, me ndriçim që të ndihen më në fund qytetarë dinjitozë të nderuar dhe të respektuar. Do ta bëjmë këtë me shpejtësi”, deklaroi Rama.

Edhe Burreli është ndër qytetet që ka përftuar nga projekti “Rilindja e Qyteteve”. Rama inspektoi punimet në Kompleksin e Lodrave të qytetit, një investim me vlerë 68 milionë lekë.

Këto 9 mijë metra katrorë do të shërbejë si ambiente sportive për të gjitha grupmoshat e Burrelit. Ndërkohë, një tjetër projekt është edhe ai i rikonstruksionit të fasadave.

Top Channel