Elez Gjoza: Ja hapat që do të ndërmarrë Federata e Peshëngritjes

22/12/2014 00:00

I ftuar në panelin e Top Channel, pas disa javësh me akuza dhe kundërakuza të lidhura me çështjen e dopingut të peshëngritësve shqiptarë në Botërorin e zhvilluar këtë vit në Kazakistan, ku Romela Begaj mori medalje ari në shkëputje, ndërsa Daniel Godelli solli dy medalje të arta dhe një të argjendtë, ka qenë edhe kreu i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza.

Menjëherë pas transmetimit të intervistës ekskluzive të Romela Begajt, dhënë për gazetarin Erblin Jaku, sigurisht që nuk mund të mungonin edhe komentet e kreut të Federatës së këtij sporti, i cili është shprehur i prekur nga deklaratat e shtangistes dhe i ka siguruar asaj mbështetjen e Federatës që drejtohet prej tij, deri në vërtetësinë e realitetit, që siç shprehet Gjoza e beson edhe vet pafajësinë e saj, duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme.

“Ajo është një sportiste e madhe dhe e jashtëzakonshme, e cila ka ngritur edhe herë të tjera me krenari flamurin shqiptar nëpër evente të tjera madhore të Peshëngritjes, duke sjellë edhe medalje. Por mbi të gjitha ajo është një profesioniste, e ndërgjegjshme dhe e aftë për njohjen e të gjitha preparateve të ndaluara për t’u përdorur në sportin ku garon. E garantoj për ato lotë që derdhi sot, se Federata do ta mbështesë në të gjithë rrugën e saj mbi këtë çështje, por edhe në karrierën e saj”, tha Gjoza.

Duke qenë se asgjë nuk është përfundimtare, në fund të fundit thjesht disa akuza që nuk janë zbardhur ende, zoti Gjoza ndihet i keqardhur që disa media e gazetarë kanë përbaltur këta sportistë shumë të mëdhenj, të cilët bënë të mundur të çojnë lart flamurin shqiptar. Jo vetëm në aktivitetin e fundit në Kazakistan, por edhe në Izrael para 6 muajsh, kur Godelli dhe Qerimaj u shpallën kampionë dhe nënkampionë të Europës.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të mos përbaltim këta sportistë që Shqipëria i ka me pakicë dhe tepër konkurrues në sportin e tyre”, vijon më tej kreu i Federatës, që shtoi se “një ditë e vërteta do të dalë në pah”.

Pyetjes se përse ekipi ynë kombëtar shkoi të stërvitej në Greqi, në një kohë që mund ta bënte diçka të tillë edhe në Shqipëri, nëse kushtet do të përmbushnin parametrat bashkëkohore të këtij sporti, Gjoza thekson se “ishte pikërisht rëndësia e këtij Botërori, që kualifikonte sportistët në Lojërat Olimpike të Rios në 2016, që Federata e vlerësoi në mënyrë të jashtëzakonshme”.

“Kushtet në Shqipëri nuk janë ato që mund të priten nga kushdo prej jush. Në palestrën e ekipit tonë kombëtar ato janë të tmerrshme, skandaloze, çfarë bie jashtë futet brenda dhe në këto kushte Federata, e nxitur edhe nga kërkesa e kampionit të botës Luan Shabani dhe të vetë sportistëve e trajnerëve, që shoqëruan ekipin kombëtar në Greqi, për kushte më të mira, ndërmori këtë hap. Aty është një qendër e madhe sportive, të cilën e kam vizituar edhe vetë, e cila jo vetëm që siguron baza materiale absolutisht më të mira, por ka edhe një ekip të specializuar mjekësh që është kujdesur në mënyrë të vazhdueshme dhe tepër të rregullt për ekipin tonë kombëtar”, deklaroi Gjoza.

Por çfarë shpjegimi i jep Federata Shqiptare kësaj ngjarjeje të rëndë? “Ne si Federatë do të mbështesim sportistët e mëdhenj, jemi të sigurt që janë të pastër dhe të pafajshëm dhe do të ndjekim të gjitha procedurat ligjore deri në zbardhjen e këtij fenomeni negativ. Shpejt, Romela Begaj do të përballet me një panel të Federatës Botërore të Peshëngritjes, ku do të ketë përfaqësues edhe nga Federata jonë: avokati, sportistë e trajnerë. Ne do të bëjmë të ditura ankesat dhe problemet të cilat na shqetësojnë, dhe parregullsinë por edhe datave të përcaktuar për marrjen e testeve A të sportistëve. Premtoj se do t’i shkojmë absolutisht deri në fund këtij problemi”, përfundoi Elez Gjoza.

Top Channel