Itali, shpërbëhet një grup neofashist, që planifikonte sulme politike e sociale

22/12/2014 00:00

Policia italiane ka arrestuar këtë të hënë 14 persona, të cilët dyshohen si anëtarë të një lëvizjeje neofashiste, e cila po planifikonte sulme ndaj politikanëve, prokurorëve dhe vetë policisë.

Të dyshuarit janë kapur gjatë bastisjeve anembanë Italisë, mbi të cilët janë ngritur akuza të tilla si përpjekje për akte terroriste, përpjekje për përmbysjen e demokracisë dhe nxitje të dhunës racore, njoftoi policia kombëtare e njohur në Itali si “Carabinieri”, përmes një deklarate.

Italia është ende duke u rimëkëmbur nga skandali “Mafia kryeqytetase”, që përfshinte një rrjet personash të korruptuar në Romë, e që sipas hetuesve udhëhiqet nga një ish-ekstremist i krahut të djathtë, i cili ka ende lidhje të forta me botën e krimit të kryeqytetit italian.

Policia tha se kanë shpërbërë tashmë “Rendin e Ri Pararojë”, organizatë të cilën e konsiderojnë si klandestine, e krijuar në vetëvete mbi bazën e lëvizjes së ekstremit të djathtë “Rendi i Ri”, e cila ka qenë e shquar për dhunën politike në Italinë e viteve ’70.

Mario Parente, kreu i njësisë speciale të “Carabinieri”-ve që ka zhvilluar hetimin e ashtuquajtur “Shqiponja e Zezë” që prej vitit 2013, tha për reporterët se “Rendi i ri pararojë” synonte të shkelte rendin social të Italisë, si dhe të formonte një parti të re politike në momentin që do të rriteshin tensionet sociale, e kur ekonomia të përkeqësohej edhe më tej.

“Besojmë se kemi ndërhyrë përpara se organizata të vinte në zbatim planet e saj”, tha prokurori Fausto Cardella. “Planet ishin gati dhe nuk mund të ndërmerrnim përsipër rrezikun për t’i zbuluar më vonë, pasi të kishim parë se sa konkrete ishin”.

Veç 14 të arrestuarve, 31 persona të tjerë janë vendosur formalisht nën hetim. Deklarata e policisë thotë se grupi udhëhiqej nga Stefano Manni, një ish-polic 48-vjeçare me lidhje të vjetra me ekstremin e djathtë, i cili ishte po ashtu aktiv në planifikimin e strategjisë për përhapjen e propagandës raciste. Ai ndodhej nën arrest shtëpia.

Top Channel