Ekskluzive: Drafti që Kukan ka propozuar mes palëve

22/12/2014 00:00

Pas shumë orë bisedimesh mes palëve në Tiranë dhe që vazhduan edhe më vonë në Bruksel, konfirmohet se palët kanë rënë dakord të kenë një marrëveshje në formën e rezolutës parlamentare.

Negociatorët Eduard Kukan, i qendrës së djathtë europiane dhe Knut Fleckenstein i qendrës së majtë, u sugjeruan palëve në Tiranë që të ulen dhe të bien dakord mbi draftin e sugjeruar prej tyre, që në bazë ka propozimet e Partisë Demokratike për zgjidhjen e krizës.

Top Channel zbuloi draftin që propozohet nga negociatorët europianë dhe që përmban 4 pika.

Pika e parë është një propozim që Top Channel e paralajmëroi më herët dhe ka të bëjë me mospërdorimin e shumicës së cilësuar nga mazhoranca për çështje të rëndësishme.

“Opozita kthehet në Parlament dhe rimerr plotësisht funksionet e saj parlamentare duke iu shmangur bojkotit të Parlamentit dhe komisioneve të tij; ndërsa mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e cilësuar prej tre të pestave, duke anashkaluar opozitën, por do të punojnë së bashku me opozitën për të gjetur konsensus për reforma të rëndësishme sa herë që është e mundur”, thuhet në draftmarrëveshje.

Pika e dytë ka të bëjë me gatishmërinë për respektimin e shtetit ligjor. “Të gjitha palët do të kontribuojnë për dialogun politik, i cili duhet të bëhet së pari në Parlament dhe respektojnë Kushtetutën dhe zbatimin sistematik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca qeverisëse dhe opozita do të anagazhohen të rishikojnë rregullat që kanë të bëjnë me funksionimin efikas të komisioneve parlamentare hetimore, të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare”.

Pika e tretë është ajo më delikatja dhe që opozita e ka këkruar me forcë këto muaj bojkoti, atë që e quan dekriminalizim të Parlamentit.

“Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku në mënyrë konsensuale, me ndihmën e Bashkimit Europian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, që kërkojnë të zgjidhen ose të emërohen për poste publike, bazuar në standardet europiane dhe me asistencën e Komisonit të Venecias”.


Pika e katërt
ka të bëjë me rolin e Parlamentit në këtë marrëveshje, kur thuhet se, “përfaqësuesit e grupeve më të mëdha parlamentare në Parlamentin Europian, Socialdemokratët dhe Partia Popullore Europiane do të mbështesin një marrëveshje të tillë politike”.

Top Channel