Kthimi i emigrantëve…

22/12/2014 00:00

Pika e dikurshme turistike e Byshekut, rreth 6 kilometra nga Elbasani, ofron një pamje të trishtë. Heshtja dhe pluhuri i një rruge të katandisur si mos më keq të drejtojnë për në Komunën Shushicë. Që këtej, aksi ngjitet sipër, mes një zone të kredhur në gjelbërimin e pishave, ku pa një makinë të lartë kalimi do të ishte i vështirë, për të mos thënë i pamundur.

14 kilometrat dredhojnë ngatërruar sa majtas e djathtas, deri sa balltazi shfaqen shtëpitë e një fshati të madh e mirë të vendosur.

“Gjurmët e rrugës antike ‘Egnatia’ dallohen edhe sot, si tregues të pozicionit të dikurshëm të kësaj zone, që edhe emrin – sipas studiesve – e ka marrë nga karvanët e shumtë që kalonin këtu. Por sot, Fushë Bualli i komunës Shushicë, në Elbasan, vuan pikërisht në atë që dikur ka qenë simboli i saj, infrastruktura rrugore, që duket sikur ka mbetur e bllokuar bashkë me historinë e shkuar”.

Historianët e studiuesit tregojnë se këtu karvanët e tërhequr nga buajt ndaleshin për të pushuar. Ishte një oaz i vogël e i bukur anës lumit të Gostimës, një nga degët më të rëndësishme të Shkumbinit. Dikund, një nga urat e rrugës antike “Egnatia” qëndron në këmbë e paprekur, si dëshmi e asaj kohe që i jepte frymëmarrje kësaj zone, që në periudhën romake.

Ndryshe nga shumë pjesë të tjera, Fushë Bualli me rreth 1 mijë banorë ofron jo thjesht një natyrë mahnitëse, por edhe shtëpi moderne të ndërtuara në vitet e demokracisë, e që shkrihen përmes luginës. Fshati është mbajtur historikisht me emigracion, e gjithçka kanë pasur djemtë e tij e kanë hedhur pikërisht këtu. Por sot, kriza ekonomike që ka goditur shumë vende, i ka detyruar të nisin rikthimin. Një rikthim, që duket i vënë përpara një pasigurie për të ndërtuar të ardhmen.

“Ka rënë puna shumë. Kanë ngelur këto shtëpi, kalamajtë duan të hanë, rrugën e kemi të shkatërruar. Blemë një makinë, por edhe ajo u prish rrugës. Me thënë të drejtën, deri tani kemi qenë mirë, se patën punë kalamajtë andej, kurse tani e kemi të vështirë”, shprehet Shefki Beqiri.

“Me thënë të drejtën kemi qenë shumë mirë, ndërsa tani ka rënie nga të gjitha gjërat e produktet, si nga ndërtimet, nga ushqimet, e kështu të gjitha. Nuk është niveli siç ka qenë”, thotë Ndriçim Xhakerri.

Rënia e prurjeve të emigrantëve ndihet kudo. Duket sikur fshati tashmë ndodhet në udhëkryq, pa ditur se cilin drejtim të marrë, sa kohë që edhe investimet shtetërore mungojnë.

“Unë kam 8 vjet që jetoj në Greqi. Ja kam ardhur për festat e fundvitit, por çfarë festash të bësh këtu, asgjë. Nuk di ç’të them. As më bie mendja fare të kthehem. Po të kishte një rrugë, një perspektive, do kthehesha me gjithë qejf, pse jo vendi yt është vendi yt”, thotë Bledar Luka.

Në këtë zonë, toka është shumë e paktë: rreth 800 metra për frymë. Çka do të thotë se të merresh me bujqësi të sjell shumë pak të ardhura. Edhe ata që duan të nxjerrin diçka, e kanë të pamundur. Mundësitë janë thuajse zero.

“Po të bëhet rrugë, që të ndihmojë kalamajtë e shkollës e arsimtarët, të venë e të vijnë edhe ata si të gjithë njerëzit, do jetë mrekulli. Ne prodhime bëjmë shumë, unë bëj 50 kuintal misër, por ku ta çoj?”, shprehet Hasan Sharra.

Shkolla 9-vjeçare, që ka rreth 160 nxënës dhe rreth 30 fëmijë në kopësht, është i vetmi objekt që bie në sy për mirëmbajtjen e saj. Por, arsimi mbetet megjithatë problem. Shkolla e mesme më e afërt gjendet në Elbasan, për sa kohë që edhe ajo në Shushicë, që ekzistonte dikur në kohën e diktaturës, është mbyllur. Mëse 27 të rinj duhet të rrugëtojnë çdo ditë për t’u arsimuar.

“Këtu lëvizja është e madhe. Që nga fëmijët e shkollës që shkojnë çdo ditë në Elbasan, të cilëve u kushton 300 lekë në ditë, e për të gjitha lëvizjet lartë e poshtë, për ndonjë tregti të vogël që bëjnë njerëzit, është shumë e kushtueshme. 300 lekë nuk bën edhe Elbasan-Tiranë”, thotë Ruzhdi Tarba.

Për shëndetësi nuk bëhet fjalë, sa kohë godina e inauguruar në vitin 2006 me investim të “World Vision”-it dhe komunës është sot në një gjendje mjerane. Nuk dihet nëse funksionoi ndonjëherë, por 1 mijë banorë sot duhet të bëjnë cirk, qoftë edhe për një gjilpërë, që infermierja gjithmonë e gatshme e bën në kushte shtëpie.

“Në shtëpi të tjetrit se s’ka as ambulancë, as derë, as stola ku të rrish, s’ka asgjë. Se kush e ka përgjegjësinë, komuna apo shëndetësia, s’do t’ia dijë njeri fare”, thotë Shaban Xhaja.

Më tej, një tjetër urë e vjetër e rrugës “Egnatia” duket sikur bën ironi me realitetin e sotëm. Janë plot tri të tilla, që ngrihen në territorin e këtij fshati. Me rrugë dikur, pa rrugë sot…

“Më shumë vetë i pastrojmë, kur kemi ndonjë hall a fatkeqësi. Marrim njëri-tjetrin për të ndihmuar. Kështu që, më shumë hallet po i zgjidhim me njëri-tjetrin”, thotë një banor.

Sa më shumë të prekësh Fushë Buallin, aq më shumë bëhet e pakuptueshme arsyeja, se përse pjesë të tilla në Shqipëri nuk kthehen në zona turistike.

Në kushtet kur, jo vetëm në Fushë Buall, shumë emigrantë kanë nisur të rikthehen, sfida është gjetja e një formule për t’i riintegruar ata në shoqëri, e mbi të gjitha për t’i dhënë një mundësi tjetër të gjithë atyre zonave, që për mëse 24 vjet mbijetesë kanë pasur vetëm prurjet e tyre.

Zhgënjimi është i madh dhe ai nuk shuhet me fjalë, duhet vëmendje dhe mbi të gjitha investime. Asgjë më shumë. Tej duket Fushë Bualli, në krahun tjetër Elbasani, i mbytur nga re të zeza ndotjeje, kaq afër dhe kaq larg njëri-tjetrit.

Top Channel