Superkupa e Italisë shkon te Napoli, mposht me 11-metërsha Juven

22/12/2014 00:00

Juventusi nuk ia ka dalë mbanë të fitojë për të tretën herë me radhë Superkupën e Italisë, ashtu siç ka bërë edhe me titujt e Serie A vitet e fundit, teksa në Doha të Katarit dygolëshit të shënuar nga Tevez i është kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë argjentinasi tjetër i Napolit, Higuain.

Ndeshja është zhbllokuar që pas 5 minutave të para falë sulmuesit bardhezi Carlitos Tevez, i cili ka mbetur në fuqi deri në fund të 45-minutëshit të parë të takimit. Në pjesën e dytë, atëherë kur Juventus zëvendësoi Andrea Pirlon me Roberto Pereyran, për t’i dhënë më shumë gjallëri fazës sulmuese, e ndoshta për të mbyllur ndeshjen, ka ardhur edhe barazimi i Gonzalo Higuainit.

Rezultati nuk ndryshoi deri në minutën e 90, gjë që bëri të nevojshme zhvillimin e kohëve shtesë prej 30 minutash. Edhe këtu ka qenë sërish Juventusi, që mori nismën e parë për të mos e çuar ndeshjen deri te gjuajtjet e 11-metërshave, por sërish dyshja Tevez-Higuain e kthejnë në çështje “përgjigje-kundërpërgjigje”.

E kur të dy ekipet i janë drejtuar goditjeve nga pika e bardhë e penalltive, këtu ka dalë në pah një emër mbi të gjithë, por edhe shumë të gabuar: Buffon priti 3 gjuajtjet e Jorginhos, Mertensit dhe Callejonit, ndërsa Tevez ka tronditur shtyllën, kurse Chiellini, Pereira dhe Padoin dështuan të shënonin për bardhezinjtë.

Takimi i mbyllur 2-2 në kohën e rregullt, vendoset 5-6 nga 11-metërshat, gjë që bën që napolitanët të “marrin hak” pas humbjes së finales së vitit 2012.

Pavarësisht kësaj humbjeje, Juventusi së bashku me Milanin vijojnë të mbajnë kryesimin e skuadrave që e kanë fituar më shumë këtë trofe, plot 6 herë, ndërsa për Napolin ky është suksesi i dytë në historinë 27-vjeçare të këtij kompeticioni.

Top Channel