Francë, tjetër kamion drejt këmbësorëve, në Nantes. 10 të plagosur

22/12/2014 00:00

Një kamion është drejtuar për nga blerësit në një treg francez veçanërisht për Krishtlindje, në qytetin e Nantes, ndërkohë që shoferi raportohet të ketë vrarë veten me thikë, sipas zyrtarëve. 10 persona janë plagosur, siç bëhet e ditur nga raportimet e para, 5 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Rrethanat e sakta të këtij incidenti mbeten ende të paqarta, por ai vjen vetëm një ditë pasi disa këmbësorë u shtypën në Dijon. Shoferi i mjetit të sotëm kishte bërtitur “Zoti është i madh”, në arabisht, ndërsa të shtunën policia qëlloi për vdekje një tjetër burrë që kishte përdorur të njëjtën frazë në Tours, pasi ai i kishte sulmuar oficerët.

Më herët gjatë së hënës, Presidenti francez Francois Hollande kishte bërë thirrje për vigjilencë pas sulmeve të së shtunës dhe së dielës, si dhe nxiti publikun të mos hynte në panik. Sulmi me kamion i së hënës ndodhi rreth orës 19 të pasdites së sotme.

Sipas informacioneve paraprake, kamioni u drejtua nga një tezgë që shiste verë të nxehtë. Një prej tregtarëve në market tha për një media lokale se “kamioni i bardhë ishte duke u përshpejtuar drejt blerësve dhe të interesuarve në dyqanin në fjalë”.

Pasi kamioni u ndal, shoferi nisi të therte veten disa herë, duke i shkaktuar vetëvetes plagë të rënda, tha një burim për agjencinë e lajmeve AFP. As shkaku i këtij sulmi ndaj vetes nuk është i qartë, ndërkohë që askush nuk ka mundur të bëjë ende lidhjen e këtij incidenti me çështje fetare.

Top Channel