Terrorizmi, Australia rrit nivelin e rrezikut pas ngjarjes në Sidnej

23/12/2014 00:00

Kryeministri australian Tony Abbott ka deklaruar se në vend ka pasur një rritje të nivelit të rrezikut nga terrorizmi, që nga pengmarrja e javës së kaluar në një kafene në Sidnej.

Abbot bëri të ditur se, Komitetit Kombëtar i Sigurisë është takuar për të diskutuar zhvillimet e fundit të ndodhura në vend.

Mëgjithatë, ai shtoi se niveli i rrezikut për sulme terroriste do të mbetet në nivelin “i lartë” dhe nuk do të ngrihet në atë “ekstrem”.

Më herët, në Sidnej u mbajtën një seri ceremonish në nder të viktimave të pengmarrjes në kafenenë “Lindt”.

Menaxheri Tori Johnson u përcoll për në banesën e fundit, ndërsa banakierja Katrina Dawson u përkujtua në një ceremoni në Universitetin e Sidnejit.

Johnson dhe Dawson u vranë kur forcat speciale ndërhynë për t’i dhënë fund pengmarrjes që zgjaste prej 16 orësh. Miqtë e 34-vjeçarit thanë se ai humbi jetën teksa përpiqej t’i merrte armën nga duart pengmarrësit.

Ndërsa Dawson, 38, teksa mbrojti një grua shtatëzënë nga të shtënat e atentatorit. Qytetarë të shumtë vendosën buqeta me lule pranë vendit ku ndodhi tragjedia për të bërë homazhet e tyre.

Ndërkohë, me urdhër të kryeministrit Abbott, autoritetet australiane po hetojnë përse pengmarrësi Man Haron Monis nuk ishte përfshirë në listën e personave nën mbikëqyrje.

Kjo, pasi ai kishte pasur preçedentë për akte dhune dhe paqëndrueshmëri mendore. I vetëshpalluri klerik, që vinte nga Irani, po përballej me akuzat e agresionit seksual dhe për nxitje të vrasjes.

Ai kishte një histori të gjatë prej aktivisti të motivuar fetar dhe valëviti një flamur islamik gjatë pengmarrjes. Megjithatë, autoritetet deklaruan se ende nuk ka prova që veprimi i tij të ketë pasur lidhje me rrjetet e terrorizmit ndërkombëtar.

Top Channel