Siri, qeveria autorizon shpërndarjen e ndihmave

23/12/2014 00:00

Qeveria në Siri ka autorizuar shpërndarjen e ndihmave mjekësore në zonat e kontrolluara nga opozita në qytetin Alepo, ka njoftuar Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Zyrtarja e OBSH, Elizabeth Hoff deklaroi se qeveria ka premtuar gjithashtu akses në lagjen Mudamija të Damaskut dhe në Gutën Lindore, në rrethinat e kryeqytetit.

Ajo shtoi se shpreson që ndihmat në Alepo të mund të shpërndahen brenda javës së ardhshme.

Më herët gjatë muajit i dërguari i OKB-së bëri thirrje për një armëpushim në këtë qytet, i dyti për nga madhësia i Sirisë, për të lejuar shpërndarjen e ndihmave.

“Ne kemi pasur disa shtrëngime në të kaluarën sa i takon shpërndarjes së ndihmave mjekësore, por tani situata është shumë më e mirë”, deklaroi Hoff.

Sipas saj, për të arritur këtë qëllim ishin zhvilluar takime dhe negociata të nivelit të lartë. Në ndihmat që do të shpërndahen në Gutën Lindore, zonë që ka qenë e mbyllur për një kohë të gjatë, do të përfshihen edhe vaksinat dhe sende të tjera mjekësore.

OKB vlerëson se rreth 4.7 milionë sirianë ndodhen në zona që janë shumë të vështira për t’u arritur, me rreth 240 mijë prej tyre që janë nën kërcënimin e vazhdueshëm të luftimeve mes qeverisë dhe opozitës.

Që nga nisja e konfliktit në Siri, në vitin 2011, mbi 200 mijë persona janë vrarë dhe mbi 9 milionë persona janë larguar nga banesat e tyre.

Top Channel