Gjermani, pjesëmarrje rekord në protestën anti-islamike

23/12/2014 00:00

Një protestë rekord me rreth 17 mijë e 500 pjesëmarrës është zhvilluar mbrëmjen e së hënës në Dresden të Gjermanisë, kundër islamizmit.

Protestuesit kënduan këngët e Krishtlindjeve dhe dëgjuan fjalime të mbajtura për emigrantët dhe azilkërkuesit.

Manifestimet e përjavshme kundër përhapjes së islamizmit në Perëndim janë organizuar nga grupi Patriotët Evropianë, të njohur si PEGIDA dhe nisën në tetor.

Që atëherë një seri anti-protestash janë mbajtur çdo të hënë. Kancelarja Angela Merkel dhe zyrtarë të tjerë në Gjermani janë shprehur kundër tubimeve të Patriotëve Evropianë.

“Në emër të qeverisë dhe të Kancelares, mund t’iu them qartë se nuk ka vend në Gjermani për urrejtje fetare, pavarësisht se kujt besimi i përkasin njerëzit”, tha më herët gjatë muajit zëdhënësja e kancelares, Christiane Wirtz.

“Nuk ka vend këtu për islamofobi, antisemitizëm apo ndonjë formë tjetër të ksenofobisë apo racizmit”, tha ajo, referuar marshimeve.

Shprehjet publike të ndienjave antiemigracion janë thuajse tabu në rrjedhën politike gjermane, për shkak të vrasjeve masive të hebrejve në kohën e nazizmit, apo edhe grupeve të tjera përgjatë Holokaustit.

Merkel argumenton se Gjermania ka nevojë për emigrantët, për të shmangur krizën demografike.

Top Channel