Presidenca, sekretari i Përgjithshëm, Idrizi jep dorëheqjen

23/12/2014 00:00

Arben Idrizi, sekretari i përgjithshëm i Presidencës, ka dhënë dorëheqje
nga ky post, të cilin e mbante që prej fillimit të vitit 2013. Nuk
dihet arsyeja e largimit të tij nga ky post, por burime pranë
Presidencës konfirmuan largimin e Idrizit për arsye personale.

Idrizi u punësua si këshilltar ligjor pranë Presidentit Nishani në vitin 2012, ndërsa u komandua si sekretar i përgjithshëm pas largimit nga ky post të Bardh Spahisë, i cili kandidoi për deputet të Partisë Demokratike në Qarkun e Shkodrës.

Ndërkohë bashkëshortja e tij, Altina Xhoxhaj, është anëtare e Gjykatës Kushtetuese, institucion që kohët e fundit është vënë qendër të vëmendjes për shqyrtimin e disa çështjeve të nxehta. Arben Idrizi, prej marsit 2001-maj 2011, punoi si drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë pranë KQZ-së, ndërsa për disa vite ka kryer detyrën e anëtarit të Task-Forcës Konsultative BE-Shqipëri në negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Top Channel