Itali, zjarr hekurudhës. Ministri: Sulm terrorist

23/12/2014 00:00

Qarkullimi hekurudhor në Itali ka përjetuar këtë të martë momente kaosi si pasojë e një zjarri, sipas autoriteteve i qëllimshëm, në stacionin e qytetit të Bolonjës.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave lëvizja në nyjen hekurudhore të qytetit ka mbetur e bllokuar për shkak të dëmeve materiale.

Një seri strukturash shtetërore po hetojnë mbi ngjarjen, si policia hekurudhore, ajo shkencore dhe njësia për sigurinë publike, DIGOS.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transporteve, Maurizzio Lupi nuk ka hezituar ta cilësojë ngjarjen një sulm terrorist.

“Ky është një sulm terrorist, por askush nuk do të na ndalë në rrugën tonë për rinovimin dhe ndryshimin e Italisë”, ka thënë Lupi, duke iu referuar sulmeve të vazhdueshme që ka pasur ndaj projekteve të infrastrukturës hekurudhore.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe kryeministri Matteo Renzi, i cili ka garantuar italianët se vendi nuk do t’i kthehet së shkuarës, duke iu referuar periudhës së atentateve terroriste të grupimeve fashiste.

“Dua të siguroj italianët se nuk do t’i kthehemi fjalëve me të cilat kujtojmë të kaluarën. Ky është një operacion sabotazhi dhe po verifikojmë sa ka ndodhur”, ka thënë Renzi.

Shefi i qeverisë italiane ka bërë të ditur se ngjarje të ngjashme kanë ndodhur edhe në qytete të tjera ditët e fundit, por jo në këto përmasa.

Ndërkohë, autoritetet hekurudhore kanë deklaruar se situata është nën kontroll, por kanë nënvizuar se incidenti ka shkaktuar vonesa të shumta në mbarë vendin.

Top Channel