Kore e Veriut, rikthehet pjesërisht shërbimi i internetit

23/12/2014 00:00

Disa shërbime interneti janë i janë rikthyer funksionimit në Korenë e Veriut, pas një ndërprerjeje të papreçedentë, që supozohet të jetë pasojë e përplasjes me Shtetet e Bashkuara.

Edhe pse nga vendi i izoluar komunist nuk ka pasur asnjë komunikim, ekspertët amerikanë flasin për një rikthim të pjesshëm në normalitet. Disa analistë deklarojnë se aksesi në internet në vendin aziatik ishte ndërprerë tërësisht për disa orë rresht.

Uashingtoni kishte deklaruar se do të përgjigjej me masa analoge ndaj sulmit të Koresë së Veriut ndaj “Sony Pictures”, për shkak të filmit komedi mbi liderin Kim Jong un.

Për momentin Peniani ka zgjedhur të mos e komentojë përfshirjen e mundshme të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë që Kina, si anëtare e përhershme të Kombeve të Bashkuara, u ka bërë thirrje palëve që të shmangin përshkallëzimin e tensioneve në Gadishullin Korean, pasi Këshilli i Sigurimit vendosi çështjen e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut në axhendën e punës.

Paradoksi i këtij rasti është i madh. Korea e Veriut është goxha e pajisur nga ana teknologjike, por banorëve u ndalohet aksesi në faqet ndërkombëtare.

Shumë prej tyre janë gjithashtu të pajisur me telefona smart, por përmes tyre nuk hyjnë dot në internet. Së fundmi ambasadave të huaja në Penian iu komunikua nga qeveria e vendit se nuk mund të mbanin rrjete të tipit wifi në ndërtesa.

Ky vendim u argumentua nga autoritetet me faktin se qytetarët që banojnë pranë ambasadave mund të kenë akses tek interneti përmes sinjalit të ambasadave.

Top Channel