Shkodër, ndihma për familjet e varfëra

23/12/2014 00:00

Ndihma për më të varfërit nuk mund të jepet vetëm nga shteti, por edhe nga organizma të tjerë, kështu deklaroi ministri Erion Veliaj në takimin e themelimit të Fondacionit “Aleanca civile drejt integritetit”.

Ky Fondacion është një organizatë e krijuar për zbutjen e varfërisë ekstreme në zonën e veriut të vendit, por edhe për t’i shërbyer promovimit dhe zhvillimit të komunitetit, nëpërmjet edukimit me vlerat demokratike të Bashkimit Europian.

“Jemi munduar të bëjmë sadopak, por jemi shumë të ndërgjegjshëm për diçka. Që shteti nuk mund të ketë monopol solidaritetin, bamirësinë dhe bujarinë. Këto janë gjëra që u përkasin të gjithë qytetarëve, ku secili merr një pjesë të vetën të aksioneve në shoqëri, për të qenë solidarë. Janë 40 apo 50 mijë familje që jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike, kështu që në qoftë se dikush ka dilemën nga t’ia fillojë, mjafton t’u japim listën e atyre me ndihmë ekonomike dhe keni 50 mijë rrugë e rrugica nga të filloni. Duhet të jemi pak më bujarë e më solidarë”, u shpreh ministri Veliaj.

Iniciativa e parë ka qenë ndihma e drejtpërdrejtë mujore për 140 familje në Shkodër dhe krahinat përreth, që janë në varfëri ekstreme. Ndërkohë që ka nisur edhe një bashkëpunim me Shërbimin Social Shtetëror.

“Varfëria nuk është thjesht një produkt i pamundësisë ekonomike, por edhe produkt i pamundësisë kulturore. Shumë prej bizneseve të fuqishme këtu, të cilët bëjnë sakrifica të mëdha dhe janë vërtetë zotërinj të respektuar në qytetin e Shkodrës, t’i futen kësaj nisme dhe me aq mundësi sa kanë të ndihmojnë për të dalë nga të qenit një prej qarqeve më të varfëra në Shqipëri”, deklaroi Keti Bazhdari, drejtuese e Fondacionit.

Nisma është mbështetur nga 200 përfaqësues të biznesit në qytetin e Shkodrës, të cilët angazhohen të mbështesin luftën ndaj varfërisë ekstreme.

Top Channel