Kush është bukuroshja që ruhet nga një dyzinë truprojash?

23/12/2014 00:00

Publikimi në rrjetet sociale i një fotoje të bërë jashtë një kafeneje në Moskë, që tregon një grup truprojash të armatosura deri në dhëmbë ka shkaktuar jo pak polemika në Rusi.

Njerëzit që i kanë bërë “share” fotos fillimisht kanë menduar se truprojat, të pajisur me armë automatike, ishin aty për të garantuar sigurinë e një politikani të nivelit të lartë apo të një oligarku.

Por u gabuan. Sipas autorit të postimit të fotos, Alexander Belov, i njohur në Rusi për influencën e tij në rrjetet sociale, truprojat ishin aty për të mbrojtur dhe shoqëruar ish-gjimnasten Alina Kabaeva, e përfolur për një marrëdhënie intime me presidentin rus Vladimir Putin.

“E gjeni dot kush është kaq i frikësuar sa edhe për të pirë një kafe i duhen truproja me armë automatike?” thuhej në një postim në Facebook, që tashmë është fshirë.

“Vendosa të mos tregohem dembel dhe vajta të hidhja një sy. Tani e di përgjigjen, nëse e gjeni edhe ju do t’ju qëras me një kafe”, vijonte postimi i Belov.

Dhe përgjigjet e postuara më pas tregonin se përdoruesit rusë të rrjeteve sociale e kishin kuptuar se për cilën bëhej fjalë: kampionen olimpike Alina Kabaeva.

Shumë njerëz reaguan të indinjuar në rrjetet sociale ndaj kësaj pranie të theksuar të truprojave, por postimet e tyre nuk patën shumë efekt.

Së fundmi, pasi kaloi 7 vjet në Parlament, Kabaeva u emërua për të drejtuar National Media Groups, që është dhe kompania mediatike më e madhe e Rusisë.

Sipas portaleve ruse, Kabaeva, që tashmë është edhe nënë e një fëmije që supozohet të jetë fryt i marrëdhënies me Putin, nuk shfaqet në ndonjë event publik që prej muajit mars.

Top Channel