PS dhe PD: Gati për rezolutën

23/12/2014 00:00

Gjatë paradites u mendua se Taulant Balla dhe Genc Pollo nuk do të kishin ndonjë punë shumë të vështirë përpara dhe besohej që sot ata do i  përkthenin 4 pikat e draft-marrëveshjes se propozuar prej negociatorëve europianë në një draft-rezolutë parlamentare.

Vullnetin për të punuar së bashku, partitë e tyre e shprehën edhe publikisht, pas deklaratës së përbashkët të negociatorëve europianë. Partia Demokratike bëri e para një reagim, që përveç falenderimit për eurodeputetët, konfirmoi gatishmërinë për nisjen menjëherë të punës.

Gjithashtu opozita thotë se mirëpret angazhimin e mëtejshëm të Parlamentit Europian dhe insitucioneve të tjera të Bashkimit Europian për mbështetjen në vazhdim të procesit të normalizimit të jetës parlamentare.

Disa minuta më vonë, socialisti Taulant Balla konfirmoi vullnetin e mazhorancës për të patur një rezultat konkret me opozitën.

“Ne jemi gati ta kemi këtë qëndrim parimor një rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë dhe ta votojmë nesër sëbashku me deputetët e Partisë Demokratike në Kuvend. Le të shpresojmë që PD është gati të kthehet në punë dhe të votojë bashkë me ne këtë rezolute fjalë për fjalë siç është. Në pritje të reagimit të PD, ne do të shohim mundësinë që sidoqoftë të votojmë nesër këtë dokument, si shprehje të palëkundur të shumicës parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë”, deklaroi Balla.

Top Channel