Dekonspiroi operacionet, Snowden dëmtoi punën e policisë kundër krimit

23/12/2014 00:00

Kabllogramët e Edward Snowdenit nxorrën në pah plot shkelje nga ana e shërbimeve të sigurisë, si në Amerikë edhe në Europë. Por, përpos të mirave, ato duken të kenë bërë edhe dëme.

Të paktën këtë pretendojnë disa media britanike, që thonë se shefat e inteligjencës kanë humbur gjurmët e kriminelëve më të rrezikshëm të Anglisë, për shkak se Snowden ekspozoi operacione të fshehta sigurie.

Shërbimi britanik i mbikëqyrjes “GCHQ” është detyruar – sipas “Dailymail”, – të ndërpresë monitorimin e bandave të drogës, pedofilëve, trafikantëve të qenieve njerëzore dhe personave të përfshirë në pastrimin e parave, për shkak të dëmit të pësuar prej raporteve sekrete, që publikoi “the Guardian”.

Gazeta nxorri një sërë artikujsh me detaje të hollësishme të aktivitetit të agjencive amerikane dhe britanike të përgjimit, mbështetur në dosjet “top-sekret” të vjedhura nga Snowden. Raportet, vazhdon e përditëshmja britanike, i dhanë një goditje të fortë aftësisë së shërbimeve të inteligjencës për të mbledhur informacion, duke qenë se i ekspozuan terroristëve metodat e përdoruara prej tyre.

Krerët e sigurisë këmbëngulin se këta individë kanë përpirë çdo rresht të atyre artikujve, e i kanë përdorur në të mirën e  vet, për t’i shpëtuar agjentëve të kundërzbulimit. Burime të inteligjencës pretendojnë se mbi 1/4-ta e aktivitetit të disa prej bosëve më të mëdhenj të krimit në vend nuk arrin të gjurmohet, sepse të gjithë kanë ndryshuar mënyrën e komunikimit.

Tani ata përdorin mënyra të tjera për të përcjellë informacionin, thotë një zyrtar i lartë i “GCHQ”, e për këtë arsye, ne nuk jemi më në gjendje ta ndihmojmë siç duhet agjencinë kombëtare të krimit. Në Britani, krimi i organizuar mendohet të përfshijë rreth 5.500 banda dhe i kushton vendit të paktën 24 miliardë paund në vit.

Top Channel