Ukraina heq pengesat për anëtarësimin në NATO, reagon Rusia

23/12/2014 00:00

Parlamenti ukrainas i hapi rrugë anëtarësimit të vendit në Aleancën
Atlantike, duke shfuqizuar një ligj që i jepte Kievit statusin e
neutralitetit mes Lindjes dhe Perëndimit.

Lëvizja është kritikuar ashpër nga Rusia. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e cilësoi atë si nxitëse tensionesh të reja në vend.

Është ende shpejt për të folur mbi një anëtarësim konkret, por mund të thuhet me siguri se çështja e aplikimit për t’u bërë anëtare e aleancës më të madhe ushtarake në botë është punë muajsh.

Për Kremlinin, që ideja e një Ukraine në Bashkimin Europian është një ëndërr e keqe, anëtarësimi në NATO shndërrohet në një makth. Moska është ankuar ndër vite për zgjerimin e NATO-s në vendet e Europës Lindore, pranë kufijve të saj, që e konsideron një kërcënim direkt për sigurinë e vet.

Deputetët ukrainas rrëzuan kritikat e Moskës duke deklaruar se është vetë Rusia dhe ndërhyrja e saj e drejtpërdrejtë në Lindje të vendit dhe në Krime ajo që shtyn akoma më fort Ukrainën drejt NATO-s.

Të hënën në një fjalim para ambasadorëve të huaj të vendosur në Kiev, Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko deklaroi se ‘lufta për pavarësi, integriteti dhe sovraniteti territorial i vendit po imponon orientimin e marrëdhënieve të Ukrainës me vendet e tjera të botës’.

Reagimet ruse ishin të ashpra, që nga i dërguari në OSBE e deri tek Kryeministri Dmitry Medvedev, që paralajmëroi në Facebook se heqja e neutralitetit do të ketë pasoja negative.

“Në thelb, një aplikim për anëtarësim në NATO nga ana e Ukrainës do ta shndërronte atë në një kundërshtare ushtarake potenciale për Rusinë”, shkruan ai.

Ndërkohë, në Bruksel një zëdhënës i Aleancës tha të martën se një anëtarësim i mundshëm i Ukrainës do të kërkonte vite që të realizohej. Megjithatë, përveç kërkesave për arritjen e standardeve ushtarake, ekonomike dhe politike të kërkuara nga Aleanca, Kievi mund të përballet edhe me veton e ndonjë vendi anëtar, që nuk do dëshironte t’i kundërvihej Moskës.

Gjatë këtij viti, Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë dhe akuzohet prej Ukrainës, Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara për përfshirje të drejtpërdrejtë në konfliktin në lindje të vendit.

Për këtë Moska është bërë objekt sanksionesh nga BE dhe Shtetet e Bashkuara, sanksione që përveç përshkallëzimit të tensioneve diplomatike kanë gjunjëzuar ekonominë ruse, ku rubla vendase është zhvlerësuar në shifra rekord.

Top Channel