Presidenti, Greqia në prag të zgjedhjeve të reja. Dështon edhe raundi i dytë

23/12/2014 00:00

Pavarësisht thirrjes për konsensus dhe paktit të ri që u ka ofuar kryeministri Samaras ligjvënësve të Parlamentit grek, edhe në raundin e dytë koalicioni qeveritar i konservatorëve dhe socialistëve nuk ka mundur të përqëndrojë 200 vota, nga 299 deputetët e pranishëm për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.

Kandidati i vetëm, Stavros Dhimas, ka përqëndruar 168 vota, tetë më shumë se në raundin e parë, vota që kanë ardhur nga deputetë të pavarur; dy prej të cilëve kanë qenë në grupin parlamentar të Agimit të Artë; 131 ligjvënës kanë abstenuar dhe një deputete ka munguar.

“Shpresoj që në votimin e tretë t’i shmangemi rrezikut kombëtar, peripecisë kombëtare.Votimi i tretë nuk do të jetë me fjalën “abstenim”. Nuk ka abstenim. Ka emër dhe mbiemër. Dhe çdo deputet do të jetë përballë me ankthin e grekëve dhe interesin e atdheut”, tha Antonis Samaras.

Nga ana e tij, lideri i radikalëve të majtë, Aleksis Tsipras, ka deklaruar se me ardhjen e Vitit të Ri vendi do të ndryshojë një kapitull të historisë.

“As Parlamenti e as populli nuk do t’i japin ‘çekun e bardhë’ Samarasit, që të vazhdojë programet e ndihmës së huaj, duke zbatuar masat e ashpra që reduktojnë pensionet, shtrenjtojnë ilaçet dhe vjedhin shoqërinë”, tha Aleksis Tsipras.

Disa orë më parë, kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, duke shprehur besimin se “Syriza” do të marrë shumë shpejt në dorë fatet e vendit pas zgjedhjeve të parakohshme, ka deklaruar se radikalët e majtë menjëherë do të fshijnë një pjesë të madhe të borxhit të Greqisë, do të shtetëzojnë bankat dhe do të risjellin pagën minimale në kufijtë e 750 eurove.

Tashmë raundi final, në mesditën e së hënës së 29 dhjetorit, kërkon të paktën 3/5-tën e votave, pra 180 nga 300 ligjvënësit e Parlamentit grek, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme.

Në qarqet politike vlerësohet se mundësitë janë të pakta, që Samaras të bëjë për vete edhe 12 deputetë të tjerë, por gjithsesi këto mundësi ekzistojnë. Duke komentuar me shqetësim situatën politike në Greqi, “Bloomberg”, në një artikull të minutave të fundit, bën fjalë për dramën greke, që po shkakton pasoja negative në tregje.

Ndërsa faqja ekonomike e internetit “Marketwatch” në një artikull të tij thekson se zhvillimet politike në Greqi ndodhen në një listë me dhjetë fenomenet më të rrezikshme, që mund të ndryshojnë rrjedhën e tregjeve financiare ndërkombëtare gjatë vitit të ardhshëm.

Top Channel