Siguria në prag festash, Franca zbret ushtrinë në terren

23/12/2014 00:00

300 trupa elitë të ushtrisë të stërvitura për të luftuar terrorizmin do
të zbresin në rrugët e Francës në ndihmë të policisë pas tre sulmeve të
ndryshme ndaj civilëve, në dukje pa lidhje me njëri-tjetrin.

Ky është vendimi i marrë nga qeveria e Kryeministrit Manuel Valls. Ai tha se ushtarët dhe policia do të përforcojnë patrullimet në rrugët dhe qytetet e vendit për të garantuar sigurinë në këtë prag festash.

Tre sulme të ndryshme në Nantes, Dijon dhe Tours lanë të plagosur më shumë se 20 persona, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Të dilën në Dijon, drejtuesi i një automjeti që bërtiste “Allahu Akbar” (Zoti është i madh) përplasi 13 këmbësorë, ndërsa një ditë më parë një tjetër person që bërtiste të njëjtën frazë u qëllua për vdekje nga një patrullë policie pas përpjekjes për t’i sulmuar ata.

 Për momentin autoritetet franceze përjashtojnë mundësinë që sulmet të jenë të organizuara, por i vlerësojnë ato si sporadike dhe raste të izoluara nga persona që vepruan vetëm.

“Nuk ka asnjë lidhje mes ngjarjeve në fjalë. Po hetojmë tre individë që vepruan krejtësisht vetëm. Sigurisht nuk e minimizojmë rrezikun e këtyre akteve, ndaj qeveria vendosi të rrisë sigurinë. Përgjigjja më e mirë është të vazhdojmë jetën tonë paqësisht dhe të vëmendshëm, sigurisht”, deklaroi Kryeministri Valls në një intervistë radiofonike.

Top Channel