Zgjedhja e Këshillit të Bankës, kandidatët e kualifikuar raportojnë para Komisionit të Ekonomisë

23/12/2014 00:00

Natasha Ahmetaj u kualifikua si kandidate për anëtare në Këshillin
Mbikëqyrës, pasi siguroi 28 firma nga deputetë të maxhorancës.

Me një karrierë akademike dhe aktualisht drejtuese në një nga bankat private, para Komisionit ajo deklaroi se politika monetare e Bankës duhet të ndryshojë rrënjësisht per te mbeshtetur ekonominë.

“Eshtë koha që Banka Qendrore e Shqipërisë, të ulet të mendojë për politika alternative, sikurse gjithë sistemi europian dhe botëror është duke bërë. E kam fjalë për ato që quhen politika jokonvencionale. Në mënyrë që të mos jetë një spektatore në zhvillimet e ekonomisë dhe në mënyrë që të mos jetë një ndjekëse strikte e qëllimit final, që është shënjestrimi i inflacionit, por të përpiqet të bëhet protagoniste në zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe dhënien e impulseve të rritjes ekonomike, për të cilat ekonomia jonë ka shumë nevojë”, tha Ahmetaj.

Gent Sejko, u dekretua nga Presidenti i Republikës si kandidat për guvernator. Por si kandidat në Këshillin Mbikëqyrës ai u kualifikua me mbështetjen e vetë Këshillit. Ashtu si Ahmetaj edhe zoti Sejko tha se Banka e Shqipërisë duhet të përdorë lehtësimin sasior.

“Pra duhet parë më gjerë, duhen parë edhe mundësi të tjera, forma të ndryshme në konsultim me Bankën Botërore, FMN-në sipas gjykimit tim, në drejtim në të ardhmen të shikimit të injektimit të likuiditeteve në ekonomi, ose të krijimit të lehtësimit sasiore, për më tepër cili është instrument konvencional”, tha Sejko.

Edhe pse Shqipëria është përballur me rënien e kredive dhe ngadalësimin ekonomik, deri më tani Banka e Shqipërisë i ka rezistuar kërkesave për të përdorur lehtësimin sasior, ose ndryshe injektimit masiv te parave në treg.

Deklarimet e dy kandidatëve, që me gjasa do të jenë anëtarë të Këshillit, sinjalizojnë se kursi i politikës monetare mund të shënojë ndryshime rrënjësore, çka do ta vinte sistemin financiar në një situatë të patestuar më parë. Të dy kandidatës si Sejko ashtu dhe Ahmetaj vijnë nga vetë sistemi bankar.

Ndërkohë Komisioni do të dëgjojë edhe propozimin e tretë, Tonin Kolën, profesor në fakultetin ekonomik edhe ky i kualifikuar me mbështetjen e maxhorancës.   

Top Channel