SHBA, ekonomia me rritjen më të lartë prej 11 vitesh, 5% në tremujorin e tretë

23/12/2014 00:00

Ekonomia amerikane është rritur me një normë vjetore prej 5 përqind gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, duke shënuar kështu rritjen më të fortë të 11 viteve të fundit, siç mësohet nga shifrat zyrtare.

Departamenti amerikan i Tregtisë bën të ditur se Produkti i Brendshëm Bruto (GDP) është rritur shumë më tepër nga parashikimi prej 3.9% për periudhën korrik-shtator, kjo edhe për shkak të konsumit gjithnjë e më të madh dhe shpenzimeve po ashtu të mëdha të biznesit.

Kjo normë rritjeje ka qenë më e larta që prej tremujorit të tretë të vitit 2003, ndërkohë që këto shifra janë në vazhdimësi të plotë nga tremujori i dytë, kur norma e rritjes vjetore ekonomike ishte 4,6%.

Një pjesë e rëndësishme kontribuese në këtë rritje të tremujorit të tretë kanë luajtur shpenzimet për konsum, që përllogariten në rreth 2/3-tat e aktivitetit ekonomik amerikan. Këto shpenzime janë shtuar me 3,2%, një tjetër normë vjetore e lartë që prej tremujorit të katërt të vitit 2013.

Rritja e investimeve në biznes është shtuar gjithashtu me 8.9 përqind, ndryshe nga sa ishte përllogaritur në 7.1%. Shpenzime më të mëdha janë shënuar në pajisje, produkte të pronës intelektuale dhe struktura jorezidenciale.

Pas dy tremujoreve me rritje të fuqishme për ekonominë amerikane, ekonomistët parashikojnë se kjo rritje do të tkurret me një normë vjetore prej 2.5 përqind për tremujorin e fundit, tetor-dhjetor. Por, ata thonë për vitin 2015 parashikohet një rritje vjetore prej 3%, gjë që nëse rezulton e vërtetë do të jetë më e larta që prej vitit 2005.

Ekonomia amerikane ka vuajtur në luftën për të rifituar forcën dhe energjitë e përpara vitit 2007, pas krizës ekonomike globale, që u shkaktua nga kriza e hipotekave dhe kredive të këqija amerikane.

Pasi recesioni mori fund në SHBA në vitin 2009, rritja ekonomike ka hasur sërish probleme për t’u rikthyer në nivelet e mëparshme. Mesatarisht, ajo është rritur me 2.2 përqind çdo vit, krahasuar me mesataren vjetore prej 3.3% gjatë vitit 2005.

Gjithsesi, analistët thonë se rritja ekonomike amerikane do të përshpejtohet, pasi bizneset kanë fituar më shumë besueshmëri në lidhje me punësimin e personave të papunë. Norma e papunësisë në SHBA ishte 5.8 përqind gjatë nëntorit, por me rritjen e të punësuarve, fitimet e tyre parashikohen të shpenzohen për konsum. Ndaj, pritet që me shumë mundësi Banka Qendrore amerikane, Rezerva Federale, të nisë rritjen e normës së interesit gjatë vitit 2015.

Top Channel