Vrapon pak, por “fluturon”

23/12/2014 00:00

Mendimi i përgjithshëm kur sheh një ndeshje të Barcelonës është se Leo Messi luan futboll duke ecur në fushë, por në momentin që merr topin “shpërthen” drejt portës kundërshtare me një shpejtësi marramendëse.

Kjo përshtypje që i krijohet shumicës së tifozëve është mëse e vërtetë sipas një raporti që tregon kilometrat e përshkuara nga çdo futbollist i klubit katalanas në kampionatin e këtij sezoni.

Siç publikon ‘Marca’, Leo Messi është ai që vrapon më pak se të gjithë. Mesatarja e tij është pak më shumë se 8 kilometra për ndeshje, që do të thotë 3 kilometra e gjysmë më pak se i pari i skuadrës, mbrojtësi Jordi Alba.

Lojtari i dytë që vrapon më pak te Barcelona është qendërmbrojtësi Javier Mascherano, me një mesatare prej 9,1 km për ndeshje.

Më i shpejti i skuadrës

Si për ta kompensuar këtë “dembelizëm”, Messi është lojtari që ka shënuar shpejtësinë maksimale më të lartë te Barcelona në këtë sezon. Në ndeshjen ndaj Elches, ylli argjentinas kapi shpejtësinë 34,47km/h, të cilën nuk e ka kaluar dot asnjë prej shokëve të tij të ekipit.

Top Channel