I federuar në Izrael, luante edhe në Palestinë. Merr “dënim kapital”

23/12/2014 00:00

Për të qenë disi më të lirshëm dhe jo të gjurmueshëm në ndonjë rast të veçantë, të gjithë, kush më shumë e kush më pak, thonë ndonjë gënjeshtër, apo japin vendndodhje false dikujt.

Problemi lind kur kjo gënjeshtër demaskohet, sidomos në rastet kur e kemi thënë atë pa qenë të bindur 100%. Përveç se do të duhet të paguhen pasojat, në ato raste humbet edhe gjithë besueshmëria e personit në fjalë.

Një gjë e tillë ka ndodhur edhe ndaj Atef Abu Bilal, lojtar me kombësi palestineze, që ka zhvilluar 11 ndeshje. Mesfushori i lindur në vitin 1984 nuk fshihte ndonjë të dashur, apo ndonjë familje të dytë, por një jetë të dytë sportive.

Një të njëjtën kohë që ka qenë i federuar me një klub të kategorisë së pestë izraelite, Segev Shalom, Bilal është kapur mat teksa luante futboll edhe me një skuadër palestineze. Kjo gjë nuk i ka pëlqyer aspak drejtuesve të Federatës izraelite.

I menjëhershëm ka qenë hetimi ndaj tij dhe, kur është zbuluar se lojtari i përkiste dy klubeve njëkohësisht, në dy kombe të ndryshme, është skualifikuar… por sa?

Rrezikonte të mos luante futboll përjetë, por për fat të tij ka ardhur në ndihmë një defekt kompjuterik. Veç gjobës prej 200 eurosh, Bilalit i është ndaluar të luajë futboll për “vetëm” 99 vite. Programi kompjuterik nuk lejonte një dënim më të madh se kaq. Ndaj, palestinezi do të “mund” të rikthehet të luajë në moshën 129-vjeçare…

Top Channel