Festat, shqiptarët blejnë më pak se vjet

23/12/2014 00:00

Periudhat e festave e veçanërisht ato të fundvitit përkthehen në përgjithësi në rritje të konsumit. Por tregtarët thonë se ndryshe nga tendenca e zakonshme dhe kur mungojnë ende pak ditë nga Krishtlindjet dhe Viti i Ri, vërehet rënie e ndjeshme e shitjeve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Puna është më e dobët se nuk ka para. Nuk ka para në lëvizje. Arra është më e shtrenjtë në krahasim me vjet. Jemi të traumatizuar dhe me stres. Blejmë produktin dhe kemi frikë se nuk do e shesim dot”, thonë tregtarë të tregut të pakicës.

Tregtarët e pikave të shumicës thonë se rritje çmimi kanë pësuar vetëm ato produkte që nuk janë të sezonit të cilat tregtohen rreth 50 përqind më shtrenjtë.

“Trangulli ka shkuar 2 mijë lekë të vjetra, patëllxhani ka vajtur 140 lekë të reja, domatja është rritur me afërsisht me 800 lekë të vjetra”, thotë një tregtar i shumicës.

Por krahas rritjeve sezonale, një tjetër tendencë e fundvitit është ajo e shtrenjtimit të çmimit për arsye spekulative. Për këtë arsye Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe Drejtorja e Tatimeve, Briseida Shehaj takuan prodhues të mëdhenj nga të cilët, siç shprehet Ministri Panariti morën garancinë se këtë fundvit do të aplikohen çmime promocionale për konsumatorët.

Për rastet e spekulimeve në treg Ministri tha se do të ketë kontroll të vazhdueshëm në tregje për të shmangur këtë fenomen.

“Në këtë javë që do t’i drejtohemi fundvitit do të krijojmë edhe tregje alternativë në qendër të qyteteve që do të aplikojnë çmime të shumicës dhe do të jenë të aksesueshëm nga të gjithë konsumatorët të të gjitha kategorive”, thotë Ministri Panariti.

“Duke qenë se jemi të gjithë konsumatorë, të bëni denoncime. Në faqen e Tatimeve keni të gjitha kontaktet e mundshme. Do mundohemi që të shpalosim kudo, duke bashkëpunuar edhe me biznesin. Do jenë këto çmime promocionale që të promovojmë atë biznes që do jetë në krah të konsumatorëve këtë vit

Top Channel