HEC-et rrezikojnë ekzistencën e parqeve kombëtare

23/12/2014 00:00

Hidrocentralet rrezikojnë ekzistencën e parqeve kombëtare. Alarmi vjen nga Librazhdi, ku në Parkun Kombëtar të Shebenik-Jabllanicës janë dhënë shumë leje për ndërtimin e veprave energjitike.

Sipas specialistëve të mjedisit, këto HEC-e janë një rrezik për banorët, florën dhe faunën e zonës, si dhe një dëm për turizmin. Banorët e zonës, jo pak herë janë ngritur në protesta, duke kërkuar të rishikohen lejet koncesionare.

“Problemi ynë me ndërtimin e HEC-it është se na cënohet uji i pijshëm, uji për vaditje, na shkatërrohet ambienti sepse do priten pyjet. Humbet gjithë perspektiva”.

“Thonë që janë firmosur letrat, por meqë janë firmosur ato duhet të pushkatojmë një popull të gjithë tani?”.

“Unë jam kryeplaku që jam përplasur me ata të HEC-it atje. Ata duhet të zbatojnë projektin, me 10-15 metra larg kanalit, por në fakt kanë shkelur të gjitha rregullat”.

Banorët dhe ekspertët thonë se në këto koncesione është parë vetëm përfitimi ekonomik i kompanive private dhe nuk është studiuar ndikimi në mjedis. Janë më shumë se 400 hidrocentrale të dhëna me koncesion në të gjithë vendin, të cilat kanë ngritur shpeshherë diskutime mbi ndikimin që do të kenë në mjedis.

Por, situatë më e vështirë paraqitet në ato raste, kur HEC-et do të ndërtohen në parqe kombëtare, duke dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme pasuri natyrore të vendit. Ekologjistët thonë se pas 15 vitesh, rrethi i Librazhdit do të jetë një zonë e thatë, me një dëm ekologjik të paparashikuar dhe me biodiversitet të shkatërruar.

Top Channel