“Petro Nini Luarasi”, 55 vite më parë nisi një ëndërr…

23/12/2014 00:00

Askush nuk mund të harrojë vitet e bukura të shkollës së mesme, të cilat nuk mund të zbehen kurrsesi nga asgjë. Përkundrazi, ngelen ndër kujtimet më të bukura për gjithsecilin, e kur i kujton ndjen një nostalgji të mrekullueshme. Për shumë vetë, pikërisht në këtë periudhë të adoleshencës lind edhe dashuria e parë. E si mund t’i harrosh ato rrahjet e forta të zemrës, si kurrë ndonjëherë…

Në Pasdite në Top Channel është folur për një nga shkollat më të rëndësishme të Tiranës, “Petro Nini Luarasi”, e për këtë nuk mund të mungonte edhe një rikthim nostalgjik i një prej nxënësve të kësaj shkolle, muzikantit Altin Goci.

Altin Goci: I përkas maturës ’92, respektivisht vitet shkollore 1988-1992, dhe pavarësisht se kanë kaluar shumë vite, shumë gjëra ngelen në kujtesë, sido që të jetë. Kjo është një ndër klasat ku unë kam mësuar, kemi qenë në shumë klasa, por kjo përbën bazën e së katërtës B. Gjithmonë jam ulur në tavolinë i parafundit, jo për arsye rrëmujash, por kështu më rastiste. Kemi qenë nga 3 veta në bankë dhe me sa shoh vazhdon edhe sot të ketë 3 stola për bankë. Pas shumë e shumë viteve është një nostalgji e papërshkrueshme. Të rikthehesh e të rikujtosh vitet e shkollës është bukur. Edhe grupi Ritfolk që u formua në vitin 1991 këtu e ka pasur origjinën. Këtu, me shokët e klasës, kam nisur koncertet e para për Petro Ninin. Gjithçka ka lindur këtu, në këtë shkollë. Mbaj mend që e kam pas urryer të ulesha në bankën e parë, mbase edhe për shkak se kur kishim provime mund të kopjoje më lirshëm këtej nga bankat e fundit. Në fillim rrinin gjithmonë nxënësit e shkëlqyer. Normalisht shumë gjëra kanë ndryshuar me rikonstruksionin e shkollës, por edhe pse ambienti ka marrë pamje të re, godina ngelet e njëjta. E vetmja gjë që s’ka ndryshuar tek unë është të qenit një “petronins”. Kam përshtypjen se brez pas brezi, ata që mbarojnë këtë shkollë ndihen gjithnjë krenarë. Madje edhe kur pyesin se në çfarë shkolle ke qenë, e themi me mburrje “petronins”. Këtu ka lindur edhe një këngë e kompozuar bashkë me Sajmirin, me titull “Djemtë e Petro Ninit”, nga e cila mund të shkëpus refrenin: “Edhe kur të na pyesin, djem nga ç’shkollë vini, me buzë ndër gaz do t’u themi, nga Petro Nini”.

Top Channel