Ngërçi për rezolutën, 5 orë bisedime pa rezultat, PD ndryshoi draftin “Kukan”

23/12/2014 00:00

Edhe pas më shumë se 5 orësh diskutime, të mandatuarit e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike nuk ranë dakord për formulimin e një draftrezolute të përbashkët, mbështetur mbi marrëveshjen e nënshkruar nga dy eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstein dhe “thembra e akilit” duket se mbetet votimi i ligjeve me shumicë të cilësuar.

“Sot ne diskutuam për angazhimin që kanë marrë palët, që këtë bazë parimesh ta kthejnë në një rezolutë dhe me kolegët e mazhorancës ramë dakord që të vëmë edhe një afat, i cili mund të jetë 6-mujor për të gjitha ndryshimet që duhet të ndërmarrë Kuvendi, që të përmbushë këto parime. Kemi rënë dakord edhe për disa pika të tjera, por mbeten një pjesë e çështjeve që kanë nevojë për shtjellim të mëtejshëm, gjë për të cilën deri tani nuk kemi rënë dakord, por do të shohim në vijim se ç’mund të bëhet. Besoj se nga pikat më të rëndësishme të bazës së parimeve dhe marrëveshjes mes palëve, është që mazhoranca nuk do të përdorë 3/5-tat e votave, që të jemi të saktë nuk i ka të vetat nga elektorati, për të amenduar ligje pa konsensusin e opozitës”, deklaroi deputeti demokrat Genc Pollo.

Për negociatorin e Partisë Socialiste, Taulant Balla, forca që ai përfaqëson është e gatshme të votojë marrëveshjen e paraqitur nga dy negociatorët e Parlamentit Europian, por pa shtesa të tjera, të cilat e dëmtojnë procesin.

“Në shprehje të gatishmërisë së shumicës përsëri ju bëj me dije se nesër Kuvendi i Shqipërisë dhe mazhoranca qeverisëse janë të gatshëm që marrëveshjen e propozuar dhe të miratuar nga Parlamenti Europian, ta miratojë edhe Kuvendi i Shqipërisë nesër. Shtesa një pas një dhe pa fund thjesht sa dëmtojnë procesin dhe nuk shtojnë asgjë mbi atë që u arrit me mbështetjen dhe angazhimin shumë të frytshëm dhe me dëshirë të mirë të dy eurodeputetëve, raportuesi Fleckenstein dhe përfaqësuesi i Partisë Popullore Europiane, zoti Eduard Kukan”, deklaroi deputeti socialist Taulant Balla.

Edhe për kryetarin e Grupit parlametar të LSI-së, Petrit Vasili, draftrezoluta, e cila deri më tani mban vetëm firmën e tij dhe të deputetit Balla, ka të përfshira të gjitha pretendimet e paraqitura nga opozita, për të cilat u ra dakord me negociatorët Kukan dhe Fleckenstein.

“Të gjitha shtesat e karakterit parapolitik, teknik, nuk kanë lidhje me një qëndrim parimor, që ishte dhe thelbi i rezolutës. Por sigurisht bëri një shtyrje të panevojshme dhe tregoi një vullnet të munguar për t’i shkuar deri në fund këtij negociimi të suksesshëm, të cilit i është thënë ‘po’ që një natë më parë si nga zoti Pollo edhe nga zoti Balla”, u shpreh Petrit Vasili..

Marrëveshja e propozuar nga PD

1-Për të konfirmuar vendosmërinë e plotë , në mënyrë imediate për të zbatuar të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ky zbatim duhet të ndërmerret direkt dhe në frymën e besimit nga instucionet përgjegjëse. Partitë politike do të amendojnë ligjet relevante përfshi procedurën parlamentare dhe atë të këshillit të ministrave në mënyrë që të ndërtohet një kornizë ligjore e qartë me obligimet dhe përgjegjësitë, procedurat dhe afatet e nevojshme në mënyrë të implementimit sistematik të ligjeve. Partitë angazhohen pa asnjë vonesë në ngritjen e komisioneve hetimore përmes miratimit me një të katërtën të votave. Shumica e komisioneve hetimore duhet të kontrollohet nga pala kërkuese.

2-Partitë duhet të ndërmarrin një rezolutë përfshi hapa solid për dikriminalizimin e deputetëve të tanishëm dhe të ardhshëm në parlament bazuar në praktikat më të mira të Parlamentit Europian. Kjo do të arrihet me amendimin e ligjit si dhe në kontrollin periodik të integritetit të deputetëve si për të tashmen dhe të ardhmen e tyre kriminale brënda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.

3-Partitë do të adoptojnë ndryshime në rregulloren e procedurës parlamentare e cila duhet të garantojë kohë të barabartë mes Kryeministrit dhe drejtuesit të opozitës në parlament, përfshi përgjigje për cdo ndërhyrje të kryeministrit gjatë seancave plenare. Maxhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e cilësuar prej 3 të 5tave në parlament duke anashkaluar opozitën.

4-Partitë përshëndesin rolin e Parlamentit Europian si mbështetës dhe dëshmitar të kësaj marrëveshje duke marrë rol monitorues për zbatimin e saj.

Top Channel