Minxhozi: Ikja nga drafti “Kukan”, skenar për zgjedhje të parakohshme. Negociatorët e huaj, e turpshme

23/12/2014 00:00

Analisti Skënder Minxhozi thotë se është e turpshme që, pas 24 vitesh pluralizëm në Shqipëri, të rikthehen negociatorët e huaj.

Në një intervistë për Top Channel, ai deklaron se kjo tregon shenjën e dobësisë së radhës të klasës politike shqiptare. Por, problemi më i madh i identifikuar në draftpropozimin e eurodeputetëve, sipas Minxhozit, ka të bëjë me pranimin e zbehjes së rolit të mazhorancës, kur vjen puna në votimet me 3/5-tat.

“Është një element që vërtet bën zhurmë në marrëveshjen që po përflitet. Ai i çedimit të nivelit të përfaqësimit dhe vullnetit të popullit në vetëvete, sepse në qoftë se populli e ka votuar për 3/5-tat këtë mazhorancë, ajo duhet të veprojë sipas këtij niveli përfaqësimi, s’ka përse e ul atë. Sali Berisha mori 4 mandate majtas dhe qeverisi djathtas për 4 vjet. Madje edhe kur nuk i dolën këto 4 mandate, mori edhe mandate shtesë po majtas, për të çuar deri në fund një qeverisje, që në fund të fundit ishte në fije të perit sa u përket numrave. Por, këtë çedim e shoh më shumë në atë formulim të fjalëve, të paktën siç ai po jepet gjatë këtyre orëve në media, ku thuhet se do të kërkohet një konsensus, apo nuk do të përdoret drejtpërdrejt shumica e cilësuar, kur të jepet mundësia. Pra, në të gjitha ato rrethana kur kjo është e mundur, të zgjidhet me një marrëveshje. Besoj se, siç ndodh zakonisht në Shqipëri, ky përjashtim në fund të frazës ka mundësi që – me një acarim të mundshëm të marrëdhënieve mes palëve dhe me afrimin e zgjedhjeve do të ketë një ngritje temperature, – ky përjashtim të kthehet në rregull. Pra, që mazhoranca duhet të vazhdojë ta ushtrojë shumicën e cilësuar, sepse unë nuk mund të imagjinoj një shumicë, e cila merr përsipër reformën në drejtësi dhe reforma të tjera të rëndësishme, ku do të duhen gjatë rrugës 3/5-tat, të varet vetëm te vullneti i opozitës”, u shpreh Minxhozi.

Një dalje të mundshme prej opozitës nga korniza e draftit të eurodeputetëve, Skënder Minxhozi e komenton si një skenar destabilizimi, me qëllim shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

“Realisht, nëse do të kishte një zhvillim të minutave të fundit në sens të kundërt nga deklarata e dy eurodeputetëve, e cila deri tani është përshëndetur nga dy partitë në fjalë, pra nëse ngjarjet do të merrnin një kthesë të papritur, e cila mund të çojë në hedhjen në erë të një kompromisi mes PD dhe PS, atëherë unë do të shihja që brenda opozitës po triumfon një linjë sektare, e cila kërkon zgjidhje të skajshme, e që janë moszgjidhje në fakt. Qëllimi final i kësaj linje do të mund të ishte vetëm destabilizimi i Kuvendit, me shpresën që situata do të bëhej kaq e papërmbajtshme dhe kaq jo e qëndrueshme, saqë do të vinte një këshillë edhe nga Europa, e mbështetur eventualisht edhe nga protesta, që të çonte në idenë e zgjedhjeve të parakohshme. Nuk do të doja ta pranoja këtë skenar, sepse do të ishte krejtësisht i paurueshëm në këtë fundviti dhe në këtë ambient, ku duket se më në fund është arritur një kompromis”, deklaroi më tej Minxhozi.

Ky është parashikimi i Minxhozit për marrëdhëniet mes opozitës dhe mazhorancës në muajt në vazhdim.

“Marrëdhëniet kanë qenë të nxehta dhe parashikoj që do të jenë edhe më të nxehta. Opozita, qoftë edhe taktikisht, supozohet që do të vijë e fryrë në Parlament, jo vetëm për të thënë ato që nuk ka thënë në sallë, të cilat i ka thënë nëpër konferenca shtypi, por do të vijë edhe me bindjen se ka mbajtur një protestë masive në nëntor, të cilën e sheh jo pa të drejtë si një farë fyerje në humorin gri të madh që lanë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, si një rikthim të mundshëm në skenë. Shpresoj që të mos dëmtojë angazhimet që po merren sot solemnisht në dokumentet e shkruar mes tyre”, përfundoi analisti Skënder Minxhozi.

Top Channel