Negociatat për rezolutën që do i jepte fund bojkotit të opozitës

23/12/2014 00:00

Mëngjesin e së martës, Eduard Kukan i të djathtës europiane dhe Knut Flekenshtajn i
të majtes europiane dolën me një deklaratë të përbashket, ku vlerësuan
dakortësinë e palëve në Shqipëri për të pranuar propozimet e tyre rreth
parimeve të të bashkëpunimit në parlament.

Siç thuhet në deklaratë “propozimi ka lidhje me kthimin në punë efiçente dhe gjithëpërfshirëse të parlamentit, respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe angazhimin për të zgjidhur çështjen e njerëzve me rekorde kriminale që kandidojnë për poste publike.

Dy përfaqësuesit e Parlamentit Europian “inkurajojnë liderët politikë në Shqipëri të vazhdojnë dhe të rrisin përpjekjet e tyre për të finalizuar një zgjidhje të qëndrueshme për një punë efikase të parlamentit dhe ta konfirmojnë marrëveshjen e tyre me një rezolutë të përbashkët parlamentare”.

Përfaqësuesit europianë kanë theksuar në deklaratën e tyre të përbashkët diçka që thuhet prej tyre sa herë në Shqipëri ka ngërç politik.

“Politikanët shqiptare duhet të marrin përgjegjësitë për funksionimin e institucioneve demokratike në vend. Prandaj, ata “i bëjnë sërish thirrje opozitës të rikthehet në parlament dhe të përmbushë detyimet e saj parlamentare”. “Dhe mazhorancës e qeverisë i bëjnë thirrje të krijojë kushtet për dialog politik gjithëpërfshirës brenda parlamentit”.

Deklarata e dy përfaqësuesve të Parlamentit Europian u bë pasi ata komunikuan gjatë pasdites së të hënës me përfaqesuesit e dy partive kryesore në vend. Në emër të Partisë Socialiste pranimi u bë nga Taulant Balla, i cili u shprehu negociatorëve europianë gatishmërinë e Partisë Socialiste për të punuar bashkë me të dërguarin e opozitës mbi një rezolutë të përbashkët. Këtë gatishmeri, siç konfirmohet nga bashkëbisedimi, Partia Socialiste e ka treguar pasdreke, rreth dy orë pas marrjes së draftit.

Të njëjtin veprim, por më vonë gjatë mbrëmjes e ka bërë edhe i ngarkuari nga ana e Partisë Demokratike, Genc Pollo. Siç duket nga komunikimi elektronik, rreth orës 21:00 të së hënës, zoti Pollo ka shprehur gatishmërinë e opozitës për të punuar mbi një rezolutë të përbashkët me Partinë Socialiste.

Top Channel