Çështjet që ndanë PS dhe PD, ku ndryshonin 2 draftet

23/12/2014 00:00

Në variantin që dy eurodeputetët Kukan dhe Flekenshtajn arritën të merrnin miratimin e mazhorancës dhe opozitës, pika që ra në sy ishte ajo e përdorimit të 84 votave.

Në draftin e dy negociatorëve thuhet:

Propozimi i eurodeputetëve

“Opozita kthehet në parlament dhe rimerr plotësisht funksionet e saj parlamentare duke iu shmmagur bojkotit të parlamentit dhe komisioneve të tij: ndërsa mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e cilësuar prej 3/5-ave duke anashkaluar opozitën, por do të punojnë së bashku me opozitën për të gjetur konsensus për reforma të rëndësishme, sa herë që  është e mundur”

Por në draftin e ofruar nga demokratët në bisedimet e së martës është hequr pjesa “sa herë që është e mundur”

Propozimi i PD

Partitë do të adoptojnë ndryshime në rregulloren e procedurës parlamentare e cila duhet të garantojë kohë të barabartë mes Kryeministrit dhe drejtuesit të opozitës në parlament, përfshi përgjigje për çdo ndërhyrje të kryeministrit gjatë seancave plenare. Mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e cilësuar prej 3/5-ave në parlament duke anashkaluar opozitën.

Pika e dytë që i ndau palët është ajo e dekriminalizimit të parlamentit. Në marrëveshjen me dy eurodeputetët teksti i formuluar është ky:
 
“Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku në mënyrë konsensuale, me ndihmën e Bashkimit Europian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, që kërkojnë të zgjidhen ose të emërohen për poste publike, bazuar në standardet europiane dhe me asistencën e Komisonit të Venecias”

Por kësaj pike demokratët i kanë bërë këtë formulim:

“Partitë duhet të ndërmarrin një rezolutë përfshi hapa solid për dikriminalizimin e deputetëve të tanishëm dhe të ardhshëm në parlament bazuar në praktikat më të mira të Parlamentit Europian. Kjo do të arrihet me amendimin e ligjit si dhe në kontrollin periodik të integritetit të deputetëve si për të tashmen dhe të ardhmen e tyre kriminale brënda dhe jashtë territorit të Shqipërisë”

Top Channel