Merr fund bojkoti i opozitës, Balla: E pakuptimtë për PD të dilte kundër PE-së

24/12/2014 00:00

Merr fund bojkoti i opozitës. Pak para mesnatës, në raundin e tretë të negociatave, deputetët e Partisë Demokratike firmosën rezolutën që do të miratohet sot në Parlament.

Dokumenti është ai që u propozua nga eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstein, ndërsa Partia Demokratike u tërhoq nga dy propozimet që bëri gjatë ditës së djeshme në lidhje me 3/5-tat e votave dhe dekriminalizimin e Parlamentit.

Negociatorët e projekt-rezolutës, Taulant Balla, Petrit Vasili, Genc Pollo dhe Oerd Bylykbashi, dolën të katërt para gazetarëve.

I mandatuari i Partisë Demokratike, Genc Pollo, konfirmoi arritjen e marrëveshjes dhe shtoi se fjalën e fundit do ta kenë deputetët në Kuvend.

Deputetët e Partisë Demokratike do të kthehen sot në seancë, e cila do të mbahet në orën 10:00, ndërsa vetëm 30 minuta para saj, zoti Basha do të mbledhë Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike.

***

Menjëherë pas firmosjes së draft-rezolutës në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, duke dhënë detaje të orëve të gjata të bisedimeve që sollën edhe firmosjen e rezolutës.

Pandi Gjata: Keni patur një ditë të gjatë negociatash me kolegët e Partisë Demokratike. Lajmi final është se edhe zoti Bylykbashi dhe zoti Pollo e firmosën projektrezolutën, që do të kalojë sot për miratim në Parlament.

Taulant Balla:
Lajmi është që të mërkurën opozita do të kthehet në punë dhe do të votojmë së bashku projekt-rezolutën, e cila është identike me atë që u propozua nga PE-ja dhe është në detyrën e Kuvendit të Shqipërisë që këtë dokument ta përkthejmë në një rezolutë. Nuk ka ndryshuar asgjë nga çka është propozuar nga dy eurodeputetët. Dua të sqaroj së interpretimi i 3/5-tave është shumë i saktë, pasi mazhoranca i ka 3/5-tat e votave dhe sa herë të ketë mundësi, do të negociohet dhe do të gjendet konsensus me përfaqësuesit e opozitës.

Pandi Gjata: Për të patur më shumë vota. Më shumë se 84 që ju i keni…

Taulant Balla:
Ne i kemi këto vota dhe në interes të ecjes përpara të reformave do t’i përdorim, por do të synojmë paraprakisht që të kemi edhe konsensusin e opozitës. Ajo që vonoi përgatitjen e draft-rezolutës ishin disa kërkesa të tjera nga ana e opozitës, që në fakt ndryshonin tekstin e asaj që kishim rënë dakord me eurodeputetët. Tashmë deputetët e PD u tërhoqën dhe i qëndruam strikt tekstit të rënë dakord me eurodeputetët.

Pandi Gjata: Përveç firmave, a e keni konfirmimin e zotit Pollo dhe Bylykbashi se do të jenë në Parlament të gjithë deputetët e Partisë Demokratike?

Taulant Balla:
Po, kjo na është konfirmuar nga zoti Pollo dhe zoti Bylykbashi, që deputetët e Partisë Demokratike do të jenë nesër në punë.

Pandi Gjata: Ka patur orë të gjata bisedimesh dhe dihen edhe dy pikat që propozoi PD-ja. Çfarë ndodhi që PD-ja u tërhoq nga dy pikat e saj për çështjen e dekriminalizimit dhe votat e 3/5-tave? Pati ndonjë ndërhyrje nga eurodeputetët apo nga dikush tjetër?

Taulant Balla: Nuk dua të bëj interpretime të tjera. Unë dua të them se tashmë kemi një projekt-rezolutë të bashkëfirmosur edhe nga përfaqësuesit e opozitës, edhe nga përfaqësuesit e mazhorancës dhe kështu le të ecim përpara me këtë dokument, që kemi rënë të gjithë dakord.

Pandi Gjata: Çfarë ndryshimi pati në qëndrimet e dy negociatorëve të opozitës në takimin e tretë brenda një dite?

Taulant Balla:
Takimi i tretë ishte takim produktiv, ndërsa dy takimet e tjerë ishin joproduktiv, për aq kohë sa vetë deputetët e PD binin në kundërshtim me diçka që të gjithë kishim rënë dakord, për shkak se propozimi i ardhur nga Kukan dhe Fleckenstein kishte marrë dakordësinë e palëve, ndërkohë që sot synohej të ndryshohej dokumenti për të cilin kishim rënë dakord. Fakti që u rikthyem në dokumentin bazë tregon, që kemi një dokument që gjen mbështetjen e të gjithëve. Ky është një dokument pune dhe parimet e PE-së e bëjnë që të implementohen nga Kuvendi i Shqipërisë nesër.

Pandi Gjata: Çfarë ndryshoi që opozita u tërhoq në këtë takim të tretë?

Taulant Balla: Domosdoshmëria për t’u kthyer në punë i bëri deputetët e PD-së, që të bëhen pjesë e këtij propozimi të ardhur nga PE-ja. Do të ishte e pakuptimtë për ta të dilnin kundër PE-së.

Pandi Gjata: Të sigurt që nuk do të keni më nevojën e ndërmjetësimit të ndërkombëtarëve?

Taulant Balla: Ka një gatishmëri të shprehur, si nga Kryeministri, ashtu edhe nga kryetari i Kuvendit për t’i krijuar opozitës të gjitha hapësirat e nevojshme dhe këtë e kemi bërë që prej ditës së parë që kemi ardhur në pushtet.

Top Channel