Xhihadistët në Egjipt publikojnë videon e ekzekutimit të dy spiunëve

24/12/2014 00:00

Një grup xhihadist në Egjipt i lidhur me ISIS ka postuar në internet një video të ekzekutimit të dy personave, për të cilët pretendohet se janë informatorë.

Xhihadistët e Ansar Beit al Makdis, të cilët veprojnë kryesisht në gadishullin e Sinait, janë zotuar për besnikëri ndaj Shtetit Islamik që ka marrë nën kontroll sipërfaqe të mëdha në Irak dhe Siri.

Në videon e postuar në “YouTube” paraqiten katër persona, të cilët pranojnë se janë informatorë të ushtrisë egjiptiane. Dy prej tyre, me pranga në duar dhe me sytë e lidhur, ekzekutohen me plumb në kokë nga një militant. Megjithatë nuk është e qartë nëse personat e ekzekutuar janë po të njëjtit me ata që pranojnë se janë informatorë. Gjithashtu në video një militant zotohet se grupi xhihadist do të kryejë më shumë sulme ndaj ushtrisë dhe policisë egjiptiane.

Ansar Beit al-Makdis (Partizanët e Jeruzalemit), thonë se kanë ekzekutuar me preje koke të paktën 12 njerëz që nga gushti i vitit të kaluar, pasi sipas tyre ata punonin për agjencinë e spiunazhit të Izraelit, Mossad.

Siguria në gadishullin Sinai në kufi me Izraelin është përkeqësuar që prej rrëzimit të presidentit Morsi nga ushtria në korrikun e vitit të kaluar. Militantët kanë vrarë me dhjetëra anëtarë të forcave të sigurisë, duke thënë se vrasjet janë një hakmarrje ndaj fushatës brutale të qeverisë ndaj përkrahësve të Morsit.

Top Channel