Merr fund bojkoti i opozitës, PD firmosi rezolutën e dy eurodeputetëve

24/12/2014 00:00

Negociatorët e mazhorancës dhe opozitës firmosën në orën 23 e 40 minuta të së martës, marrëveshjen në formën e një projektrezolute, e cila i jep fund bojkotit parlamentar të opozitës.

Kjo është një kopje e projektrezolutës, siguruar ekskluzivisht nga Top Channel, që mban firmat e Taulant Ballës dhe Petrit Vasilit për mazhorancën, ndërsa nga opozita ato të Genc Pollos dhe Oerd Bylykbashit.

“Arritëm një marrëveshje të përbashkët, një tekst që e nënshkruam, dhe fjalën e fundit do ta kenë grupet parlamentare nesër (sot) në seancën plenare”, deklaroi deputeti demokrat, Genc Pollo.

“Marrëveshja është pranuar nga të dyja palët, si nga opozita edhe nga mazhoranca. Presim që këtë marrëveshje, të përkthyer në një rezolutë, ta votojmë të gjithë së bashku nesër në Kuvendin e Shqipërisë. Baza është marrëveshja e propozuar nga dy eurodeputetët, pa pasur ndryshime”, theksoi deputeti socialist, Taulant Balla.

Projektrezoluta u arrit pasi negociatorët e PD-së u tërhoqën nga dy kërkesat e tyre shtesë të variantit final të propozuar nga dy eurodeputetët. Në fillim të projektrezolutës theksohet fakti se vendi ynë ka nevojë për dialog politik të qëndrueshëm dhe konstruktiv mes opozitës dhe mazhorancës qeverisëse, në mënyrë që të përmbushen ambiciet europiane të qytetarëve të vendit.

Më tej thuhet se palët bien dakord lidhur me:

“Rikthimin e opozitës në Kuvend dhe përfshirjen e saj të plotë në jetën parlamentare, duke hequr dorë nga bojkoti i Kuvendit dhe komisioneve të tij, ndërsa mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e saj të cilësuar (3/5-tat) për ta anashkaluar opozitën, por do të kërkojë konsensus me opozitën për reformat ë rëndësishme, kurdoherë që është e mundur”.

Pika e dytë e projektrezolutës parashikon:

“Të gjitha partitë do të kontribuojnë për dialogun politik, i cili do të zhvillohet kryesisht në Kuvend, si dhe për respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin sistematik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Shumica qeverisëse dhe opozita angazhohen për rishikimin e rregullave në drejtim të funksionimit efiçent të komisioneve hetimore parlamentare, bazuar në praktikën më të mirë ndërkombëtare”.

Ndërsa pika e tretë lidhet me atë, që opozita e cilëson si dekriminalizimin e Parlamentit.

“Opozita dhe mazhoranca qeverisëse angazhohen të punojnë së bashku me konsensus, me ndihmën e Bashkimit Europian, për çështjen e individëve me rekorde kriminale, të cilët mbajnë një post publik, ose kërkojnë të zgjidhen apo të emërohen në një të tillë, bazuar në standardet europiane dhe me asistencën e Komisionit të Venecias”.

Projektrezoluta pritet të miratohet gjatë seancës plenare të ditës së mërkurë.

Top Channel