Australi, dy të arrestuar në bastisjen antiterrorizëm në Sidnej

24/12/2014 00:00

Policia antiterrorizëm në Sidnej ka bërë të mundur arrestimin e dy personave, njëri prej të cilëve akuzohet për posedim dokumentesh, të projektuara për lehtësimin e ndërmarrjes së një sulmi terrorist. I dyshuari tjetër u akuzua për shkelje të urdhrit të kontrollit.

Arrestimet lidhen me një seri bastisjesh të forcave antiterrorizëm gjatë muajit shtator, bënë të ditur zyrtarë të policisë australiane. Ato vijnë vetëm pak kohë pasi kryeministri i Australisë deklaroi se vendi është futur në një “kapitull të ri të përforcuar kundër terrorit”, që prej pengmarrjes në një prej kafeneve të Sidnejit, javën e kaluar.

Në ngjarjen e kaluar, agresori Man Haron Monis, një i vetëquajtur klerik musliman me origjinë nga Irani, mori peng 17 persona në një kafene në qendër të qytetit. Pas pengmarrjes 16 orëshe, erdhi edhe ndërhyrja e forcave speciale, gjatë së cilës dy pengje dhe vetë Haron Monis mbetën viktima.

Të mërkurën, zv.komisioneri i Policisë Federale të Australisë, Michael Phelan, tha se personi i arrestuar dhe i akuzuar për terrorizëm, 20-vjeçari Sulayman Khalid, kishte dokumente që përmendnin objektiva potenciale qeveritare.

“Jam besimplotë se kemi ndalur aktivitetin që ata po planifikonin të ndërmerrnin”, tha ai, duke shtuar më pas se “nuk ka asgjë që të tregojë se cilat ishin objektivat specifike apo periudha kohore në lidhje me këtë aktivitet të veçantë”.

Khalid, i cili nuk kërkoi të shfrytëzonte të drejtën për lirim me kusht, mund të përballet me 15 vjet burgim nëse shpallet fajtor. 21-vjeçarit tjetër, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye ligjore, iu mohua e drejta për lirim me kusht.

Gjykatësit kanë lëshuar urdhra kontrolli kundër personave me precedentë penalë, duke vendosur kufizime ndaj tyre. 21-vjeçari e shkeli këtë urdhër kontrolli, i cili i ndalonte atij të përdorte forma të caktuara të telekomunikacionit.

Top Channel