Tjetër vrasje adoleshenti me ngjyrë nga policia, në St Louis

24/12/2014 00:00

Një tjetër adoleshent me ngjyrë është qëlluar për vdekje nga policia në qytetin amerikan të St Louis, shumë pranë vendit ku u vra Michael Brown gjatë gushtit, gjë që shkaktoi edhe protesta kombëtare.

Policia e St Louis tha se personi që u vra kishte marrë një armë në një stacion karburanti dhe e kishte drejtuar atë drejt një oficeri policie. Një turmë protestuesish u mblodhën menjëherë në vendngjarje në Berkeley, Missouri, të cilët u përplasën me policinë.

Berkeley është rreth 2 milje larg periferisë së Fergusonit, ku 18-vjeçari Michael Brown u qëllua për vdekje gjatë verës. Viktima e Berkeleyt është identifikuar dhe është një tjetër 18-vjeçar, Antonio Martin, sipas citimit të së ëmës nga mediat lokale.

Zëdhënësi i policisë, Brian Schellman, tha në një deklaratë se një oficer ishte duke kryer një kontroll rutinë në vendin e karburantit, mbrëmjen e së martës, kur pa dy persona që po i afroheshin.

Njëri prej tyre i kishte drejtuar armën oficerit, ndaj dhe ky i është kundërpërgjigjur me disa të shtëna. Personi i dytë është larguar nga vendngjarja, ndërkohë që arma është sekuestruar.

Top Channel