Milan, viti 2015 do të sjellë një fytyrë të re: fantazistin

24/12/2014 00:00

Viti i ri 2015 pritet të ndryshojë në shumë aspekte Milanin e drejtuar nga Pippo Inzaghi, duke nisur që nga taktika.

2014-a është mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, një fitore ndaj Napolit dhe barazim, kur gjendeshin me 1 lojtar më pak, ndaj Romës në “Olimpico”.

Tashmë, gjithçka pritet të rinisë me një tjetër taktikë, e kushtëzuar edhe nga largimi i Hondës, i cili do të mungojë përgjatë gjithë muajit janar për shkak të Kupës së Azisë.

Inzaghi ka nisur tashmë impenjimet për të gjetur një zgjidhje alternative. “Pa Keisuken, reparti ofensiv do të ndryshojë. Ndoshta mund të luaj me një fantazist pas dy sulmuesve dhe këtë rol mund ta bëjë shumë mirë Saponara apo Bonaventura”.

Gjatë vitit që po lëmë pas, skema 4-3-3 ka qenë më e përdorura, ndërkohë që 4-2-3-1 ka qenë një zgjidhje për t’i dhënë më shumë forcë sulmit, ndërsa 4-4-2, që u përdor në ndeshjen derbi ndaj Interit, u bë për të afruar Menezin më pranë Torresit.

Ndryshimi i fytyrës në vitin 2015 do të përfshijë edhe Bonaventurën apo Saponarën, kandidatë për rolin e “trekuartistit”. Për ish-lojtarin e Atalantës do të ishte një risi, pasi në “Bergamo” ai luante më së shumti majtas, por edhe si i vetmi mesfushor prapa një sulmuesi. Ndërsa për Saponarën do të ishte një rikthim në të shkuarën, pasi tek Empoli ka luajtur shpesh pas krahëve të Tavanos dhe Maccarones.

Top Channel