Nga Baltiku në Azi, konfrontimet ajrore Perëndim-Lindje problematike

24/12/2014 00:00

Nga qiejt mbi Baltik, deri në detin e Kinës Jugore, një epokë e re konfrontimesh me Rusinë dhe Kinën i ka detyruar pilotët amerikanë dhe aleatëve të tjerë të dalin kundër homologëve të tyre, në një shkallë aq të gjerë sa kurrë më parë që prej Luftës së Ftohtë.

Sipas një zyrtari aktual dhe një tjetër ish-zyrtari, kjo është një kthesë e rëndësishme për ekuipazhet ajrore, të cilët kanë shpenzuar më shumë se një dekadë fluturimesh dhe misionesh të pakontestueshme mbi Afganistan dhe Irak.

Ajo që fshihet pas tensioneve ajrore gjithnjë e në rritje mes Perëndimit dhe Rusisë është pikërisht roli i Moskës në konfliktin e separatistëve në Ukrainë. Ndërsa Kina, e cila është duke përforcuar ushtrinë e saj pas rritjes së jashtëzakonshme ekonomike të viteve të fundit, është bërë më e egër mbi disa mosmarrëveshje të kufijve të përbashkët detarë me vendet fqinje, disa prej të cilëve aleatë të Shteteve të Bashkuara pas traktateve të nënshkruara.

E ndërsa Suedia ankohet se një avion ushtarak rus për pak sa nuk u përplas me një avion pasagjerësh, rreziku i aksidenteve ajrore, madje edhe ndonjë konflikt i mundshëm, është në prag.

Në gusht, një avion zbulues amerikan dhe një avion luftarak kinez patën “përplasjen” e tyre mbi detin e Kinës Jugore, ndërsa avionët luftarakë kinezë e japonezë kanë “betejën e tyre” mbi disa ishuj të diskutueshëm.

“Ka patur një përshkallëzim tepër domethënës, veçanërisht në vitin e fundit”, thotë Christopher Harmer, një ish-pilot i Marinës amerikane, ndërsa tashmë studiues i lartë në Institutin për Studimet e Luftrave në Uashington. “Këto incidente po ndodhin tashmë në një shkallë shumë më të madhe, sa nuk i kemi parë në 25 vitet e fundit”.

Qëllimi dhe rrëzimi i avionit të “Malaysia Airlines” korrikun e kaluar mbi Ukrainën lindore, ku forcat qeveritare po luftojnë ndaj rebelëve separatistë prorusë, ka qenë thjesht një kujtesë e rrezikshmërisë së aviacionit civil mbi hapësirat e përfshira nga tensionet.

NATO ka njoftuar më herët gjatë këtij muaji, se avionët e aleancës kanë kapur më shumë se 400 herë avionë të Forcave Ajrore ruse këtë vit teksa i afroheshin hapësirave ajrore të vendeve anëtare, dy herë më shumë se sa niveli i vitit 2013.

Vendet e Baltikut dhe ato Nordike në veçanti, të gjitha anëtare të NATO-s ose Bashkimit Europian, ose edhe e të dyjave njëkohësisht, kanë raportuar rritje të aktivitetit të Forcave Ajrore ruse. Si Suedia, edhe Danimarka kanë thirrur ambasadorët rusë për t’u ankuar mbi rrezikshmërinë dhe rastin e avionit në jug të Suedisë.

“Nuk është thjesht çështje e shtimit të fluturimeve, por mënyra se si po zhvillohen ato”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një konference për shtyp të së hënës.

Top Channel